Goli i Armando Brojës ka ndezur ëndrrat e shqiptarëve por njëkohësisht ka shfrenuar edhe fantazinë e shumë të tjerëve që pas 3 pikëve të së shtunës, e konsiderojnë Botërorin thjesht një formalitet. Në formatin aktual të Kupës së Botës, numri i ekipeve pjesëmarrëse mbetet 32 dhe vetëm 13 prej tyre do të përzgjidhen nga kontinenti i vjetër ku bën pjesë edhe Shqipëria. Dhjetë të parat e çdo grupi sigurojnë një biletë direkte për në Katar, ndërsa për 3 vendet bosh formula është disi më e komplikuar. Sipas rregullores, 10 skuadrave të dyta të grupeve do t’iu bashkohen edhe dy fituese të grupeve në Ligën e Kombeve.
Në këtë mënyrë, në lojë për fazën play off do të hyjnë 12 skuadra nga të cilat vetëm 3 do të udhëtojnë drejt Lindjes së Mesme në dhjetorin e vitit të ardhshëm. Ato do të ndahen në 3 grupe me nga tre skuadra dhe në çdo grup do të luhen fillimisht gjysmëfinale e më pas finalja ku do të dalë edhe skuadra fituese. E tillë do të jetë formula për të treja grupet. Në këtë mënyrë, rruga për Shqipërinë drejt Katarit mbetet ende e gjatë dhe e komplikuar. Për t’u kthyer në llogaritë e grupit I, skuadra e Edoardo Rejës fillimisht duhet të fitojë në Tiranë me Poloninë për t’u shkëputur në 4 pikë dhe për të siguruar edhe pse jo matematikisht vendin e dytë.
Ndeshjet e nëntorit që janë edhe të fundit do të luhen përballë Anglisë në transfertë dhe në shtëpi kundër Andorrës ku fitorja do ta shpallte automatikisht vend të dytë të grupit I, Shqipërinë. Ndërkohë, në rast të një barazimi të mundshëm me Poloninë, situate bëhet më e komplikuar pasi Shqipëria sipas të gjitha gjasave, do të priste një mrekulli nga Hungaria në ndeshjen e fundit të Varshavës për t’i shkëputur pikë të mundshme Polonisë. Momentalisht, situata është e qartë, një fitore të martën në “Arenën Kombëtare” i siguron Shqipërisë edhe minimalisht dy ndeshje shtesë në fazën play off të muajit Mars, gjithmonë nëse në muajin Nëntor arrin të kalojë minimalisht Andorrën.