Formati i ri i Botërorit të Klubeve duket se ka intriguar disa shtete, të cilat kanë shprehur publikisht dëshiren për ta mirëpritur. I tillë është Brazili, i cili nëpërmjet kreut të Federatës Braziliane të Futbollit i ka shprehur Gianno Infantino-s dëshirën për të organizuar Botërorin e Klubeve 2029.
Samir Xaud në takimin me numrin një të FIFA-s, Infantino dhe sekretarin e përgjithshëm të FIFA-s, Mattias Grafström, u bëri me dije se Brazili kërkonte që të ishte vendi organizator i edicionit të radhës së Kupës së Botë për Klube.
“Infantino u gëzua prej propozimit që i bëra. Ai më tha se ishte i mundur dhe se do të punonim bashkë për ta realizuar”, tha Xaud. Sa i përket infrastrukturës Brazili është gati për organizimin e një eventi si ky pasi në 2014 priti Kupën e Botës ndërsa pas dy ditesh do të organizojë edhe Botërorin e futbollit për femra.