Nga: Martin DEDAJ
DORJAN BUBEQI RIMERR DREJTIMIN E BURRELT.
Tekniku i mirënjohur dhe ish futbollisti Dorjan Bubeqi, është rikorfirmuar përsëri trajner i ekipt matjan “Burreli”. Prezantimi i tij është bërë nga drejtuesit e klubit pasditen e datës 24.07.2023, në ambjentet e stadiumit “Liri Ballabani”, të qytetit të Burrelit në prani të një pjese të mirë të lojtarëve që mbyllën sezon e vjetshëm e disa futbollistëve që kanë shkuar të testohen, si dhe të një numri të konsiderueshëm të tifozërisë së zjarrtë matjane. Kështu që Bubeqi do ta drejtojë këtë ekip për sezonin futbollistik 2023-2024, ku formati i tij siç dihet ka ndryshuar, pasi do të ketë 12 ekipe dhe do të luhet me tre faza, ç’ka do të thotë se do të jetë një kampionat me rivalitet të fortë teksa në të marrin pjesë ekipe me emër në futbollin shqiptar si Flamurtari, Besa, Apolonia, Lushnja, Korabi, etj si dhe është rikthyer Elbasani dhe Vora.
Në këto kushte teknikut Bubeqi i lipset të ndërtoj një ekip kompetitiv, për të patur objektiva të qarta për këtë sezon dhe të mos ndodhë, si edicionin e kaluar, ku ethet e rënies nga kategoria e lënduan Burrelin deri në fund të kampionatit, ku pavarësisht se zhvilloi ndeshje të bukura dhe të forta, fatin e qëndrimit në kategorinë e parë e zgjidhi vetëm ndeshja e Play-out, me Pogradecin, që e mundi me rezultatin 2-1, ndeshje e zhvilluar në stadiumin e Egnaties, në Rrogozhinë.
Pavarësisht se ditë më parë vetë Bubeqi, përmes një statusi të tij në fb, paraqiti dorëheqjen, për arsye familjare, ka qenë këmbëngulja e gjatë e drejtuesëve të Burrelit, që e kanë bindur atë për ta rimarrë dhe drejtuar ekipin e futbollit Burreli këtë sezon futbollistik.
Dorjan Bubeqi, njihet mirë në ambjentin futboll dashës matjan, pasi e ka drejtuar edhe më parë ekipin e tyre të zemrës, Burrelin. Herën e fundit erdhi në krye të kësaj skuadre fazën e dytë të kampionatit të kaluar, që ndonëse u pretendua për një vend të mirë në rënditje, mezi i shpëtoi rënies.
Ai është një trajner, që din të punojë me kujdes me grupin e futbollistëve, të gërshetojë cilësitë individuale të çdo futbollisti me lojën kolektive të skuadrës, të motivojë grupin për të luajtur me grintë, dhe të zbatojë me përpikmëri detyrat tekniko-taktike, gjatë stërvitjes dhe ndeshjeve zyrtare dhe është i njohur edhe në rrafsh kombëtar si trajner i sukses0shëm pasi ka drejtuar ndër vite disa ekipe të kategorisë së parë, por njihet edhe si ish futbollist dhe ka luajtur në disa ekipe të njohura të futbollit shqiptar.
Në bashkëpunim edhe me stafin dhe presidencën e klubit, Bubeqi pritet të fillojë menjëherë nga puna, ku bërthama e ekipit do të jetë ajo e kampionatit të kaluar, shoqëruar me përmirësimet e mundshme dhe sipas nevojës që ka ekipi, si dhe mundësisë së klubit.
Duhet theksuar fakti se ekipi i Burrelit, falë përkujdesjes së stafit administrativ dhe atij teknik dhe në veçanti të kryetarit të bashkisë Mat, që njëherësh është edhe president i ekipit z. Agron MALAJ, është ndoshta ekipi më korrekt në marrëdhëniet me futbollistët, sa i përket kontratave dhe përpikmërisë së zbatimit të tyre, trajtimit financiar dhe ushqimor, si dhe bonuseve të tjera sipas rezultateve të arritura dhe premtimeve të bëra.
I urojmë suksese teknikut Bubeqi, dhe ekipit të Burrelit në këtë edicion futbollistik!
Nga Martin DEDAJ