Wednesday, November 27, 2024

Çertifikimi për sistemin VAR dhe AVAR. Trajnime për arbitrat dhe asistentët e Superiores

Lexo

Arbitrat dhe asistentët e Abissnet Superiore po zhvillojnë disa trajnime për të marrë çertifikimin si VAR dhe AVAR. Plot 11 arbitra dhe 25 asistentë janë përfshirë tashmë në këtë proces në mënyrë që të jenë të gatshëm të japin kontributin e tyre në pjesën e dytë të sezonit.

Ndeshjet e Kupës së Shqipërisë për moshat U-17 dhe U-19 po zhvillohen nën kujdesin e VAR-it, që shërben gjithashtu edhe si trajnim për arbitrat, që i konsiderojnë mjaft të vlefshme, për t’u zhvilluar edhe më tej rreth kësaj risie që ka sjellë më pak gabime në fushën e lojës.

Emanuela Rusta, arbitrja femër shqiptare, e cila prej vitesh është e pajisur edhe me stemën e FIFA-s vlerëson këto trajnime, pasi zhvillojnë më tepër njohuritë rreth këtij sistemi.

A janë këto trajnime të vlefshme? – Pa diskutim që janë shumë të vlefshme, pasi është e vështirë të marrësh vendime në fushë dhe pa VAR është disi më e komplikuar situata. Por këto trajnime dhe seminare të sistemit VAR janë shumë të vlefshme për ne, se ku duhet të ndërhyjmë kur jemi VAR dhe çfarë informacioni duhet t’i japim arbitrave që janë në fushë. Është një bashkëpunim mes arbitrave që janë në fushë dhe arbitrave që caktohen në sistemin VAR.

Rusta shpjegon me fjalë të thjeshta se kur duhet të ndërhyjë VAR-i teksa e konsideron si një ndihmesë të madhe përgjatë këtyre 16 javëve të kampionatit “Abissnet Superiore”.

“Është pak e vështirë, duke qenë se më parë jemi mësuar me futbollin klishe, pa VAR. Ka pak vështirësi, nuk mund të themi që e kemi mësuar VAR-in perfekt, sepse ne nuk mund të ndërhyjmë në gjërat që nuk janë faktike, që do të thotë, nëse ne kemi VAR, çdo njeri pret që çdo gabim i arbitrit të korrigjohet, por VAR-i nuk mund të ndërhyjë në gjërat që janë të diskutueshme, që kanë interpretim, por ndërhyn në gjërat që janë bardhezi, dhe është një gabim i dukshëm, për të mbrojtur arbitrin nga gabimet që mund të bëhen padashje.

Sistemi VAR është ndihmesë shumë e madhe, por duhet pak kohë për t’u mësuar me sistemin VAR. Janë pak javë që ne po bëjmë çdo ndeshje të Superiores me sistemin VAR dhe pa diskutim që prapë do ketë polemika sa i përket vendimeve sepse është përgjegjësi shumë e madhe të jesh në sistemin VAR. Nëse arbitrit në fushë i shpëton një epison, është VAR-i që e ka përgjegjësinë”- vijon Rusta.

E pyetur mbi vendimet e marra nga sistemi VAR deri më tani, Emanuela Rusta i konsideron të drejta. “Mendoj që vendimet që janë marrë nga sistemi VAR dhe nga arbitrat në fushë kanë qenë pa diskutim të drejta” – përfundon gjyqtarja shqiptare.

Edhe Indrit Myrtja, arbitër në Abissnet Superiore, në një prononcimpër fshf.org, e konsideron si shumë të rëndësishëm këtë trajnim mbi sistemin VAR, që i ka ndihmuar arbitrat të minimizojnë gabimet. “Për këtë sezon është një risi në futbollin shqiptar implementimi i sistemit VAR. Duke parë që në këto 16 javët e para të kampionatit, sistemi VAR na ka ndihmuar shumë ne si arbitra, na ka ndihmuar për të minimizuar gabimet, është tepër i rëndësishëm dhe për këtë arsye edhe pjesa tjetër e arbitrave të Abissnet Superiore po trajnohen. Mendoj që është një trajnim shumë i rëndësishëm” – shprehet Myrtja.

Gjyqtari shqiptar pranon që përshtatja me këtë risi të implementuar nga FSHF-ja ka qenë e vështirë, por puna e arbitrave thotë ai ka qenë e mirë përgjatë këtyre javëve dhe VAR-i do i ndihmojë edhe në të ardhmen. “Përshtatja me sistemin VAR ka qenë pak e vështirë sepse ky është sezoni i parë. Por kemi rreth 1 vit e gjysëm që trajnohemi rreth VAR-it dhe normalisht që ka pasur vështirësitë e veta, por besoj që kemi bërë një punë shumë të mirë gjatë kësaj periudhe, duke pasur edhe rezultate shumë të mira në këto 16 javë të para të Abissnet Superiore. VAR-i ndërhyn kur arbitri gabon qartë dhe dukshëm. Sigurisht që ne na ka ndihmuar shumë në këtë sezon, duke minimizuar gabimet tona. Dhe duke parë edhe javët e para që ne kemi bërë një punë të mirë dhe ka dalë rezultativ sistemi VAR, mendoj që është i duhur dhe do na ndihmojë edhe në të ardhmen”- shprehet Myrtja.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img