Ndeshjet e treta të grupeve te Champions League rikthejnë magjinë e futbollit elitar të kon tinentit këtë të martë me shumë përballje interesante. Në grupin A, Manchester City udhëton në transfertën delikate të Clube Brugge edhe pse skuadra e Guardiolës është e avantazhuar për të siguruar një fitore, që do të përmirësonte pozitat në klasifikim pas disfatës pariziene.
Në përballjen tjetër të grupit, PSG pret Leipzig për të konsoliduar pozitat në këtë grup. Lionel Messi, Neymar apo Mbappe do të kërkojnë të mbyllin një javë pozitive pas suksesit të lehtë në kampionat. Grupi B zbret Milanin në transfertën e Portos. Me zero pikë, kuqezinjtë janë në një moment jokomod dhe sfida luzitane konsiderohet jetike për të ardhmen e djallit nga Milano në kompeticionin europian.
Një superduel është edhe ai që projektohet në Madrid mes kampionëve të Spanjës dhe Liverpoolit. Jurgen Klopp përballë Diego Simeones. Në grupin C Ajax pret Borussian e Dortmundit. Një ndeshje ku do të caktohet shumë edhe për fatin e skuadrës lidere të këtij grupi, ndërsa në Stamboll, Besiktas pret Sportingun e Lisbonës që po përjeton një shok të vërtetë pas dy humbjeve në po kaq ndeshje dhe do të luajë në Turqi shanset e fundit.
Futboll do të luhet edhe në Moldavinë e Largët ku Sheriffi i surprizave dhe kryesues i Grupit D pret Interin pas shuplakës që mori nga Lazio në Romë. Për zikaltërit ky është një kryqëzim shumë i rrezikshëm pasi me 1 pikë në 2 ndeshje skuadra e Inzaghit rrezikon të mbetet jashtë fazën tjetër.
Duel interesant edhe ai që do të luhet në Kiev mes Shakhtar Donetsk e Real Madrid ku rekordmenët europianë do të kërkojnë të fshijnë zhgënjimin e humbjes së fundit.