Çiklizëm-Etapën e tretë të Turit të 82-të Çiklistik të Shqipërisë, e fiton Olsi Veliaj i kombëtares kuqezi

Rikthehet buzëqeshja në ekipin kombëtar të çiklizmit, teksa Olsian Veliaj ka prerë i pari finishin në etapën e tretë të Turit të 82-të të Shqipërisë. Elbasan – Vlorë me një gjatësi prej 149.01 kilometra dhe një shpejtësi mesatare prej 43.623 kilometra në orë nuk ka qenë një etapë e lehtë. Për më tepër që ka qenë e alternuar midis terrenit kodrinor dhe asaj fushor me tre çmime të mëdha, një të malit dhe dy të ndërmjetme.

Një etapë që ka patur mbikqyrjen e rreptë të Policisë së Shtetit, jo vetëm për shoqërimin që i kanë bërë çiklistëve, por dhe për bllokimin e të gjitha akseve rrugore ku çiklistët kanë pedaluar. E për më tepër edhe të gjyqtarisë që për asnjë çast nuk lë asnjë shkelje të rregullores. Nga Elbasani në drejtim të Belshit për të bërë finishin e parë të malit në Kajan, atje ku fiton çiklisti i Tiranës, Aaron Vogels.

Më pas dy finishet e ndërmjetme, në Arrëz dhe në Fier, kanë shkuar për malazezin e Prveljas, Divniç. Madje së bashku me Bibel të Tiranës janë shkëputur nga grupi i madh duke patur dhe një kohë prej 1’40” distancë. Por në dhjetë kilometrat e fundit grupi i madh ka arritur dhe në finish pret i pari Olsian Veliaj në kohën 3h24’57”.

Kupa për Olsian Veliajn është dorëzuar nga presidenti i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku. Më pas fanella e verdhë ka shkuar për holandezin Niels Rimajer të Vielerploeg Grut Amsterdam. Fanella e kuqe, apo ajo e malit, për çiklistin e Tiranës, Aaron Vogels, kurse Gabriele De Fabritis është mbajtës i dy fanellave. Atë jeshile për pikët në finishet e ndërmjetme dhe atë të bardhë si i riu më i talentuar. Vierlerploeg Grut Amsterdam është kryesuesi i renditjes ekipore, kurse etapa e katërt është Vlorë – Vlorë. Turi i 82-të Çiklistik i Shqipërisë përfundon të premten në Fier.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu