Partizani ka humbur 0-1 me Erznin për javën e katërt të Superligës. Në “Elbasan Arena” ka vendosur një gol i Nonato në minutën e 12, me miqtë nga Shijaku që janë treguar të saktë.
Me këtë fitore, Erzeni shkon në kuotën e tetë pikëve, një më pak se Partizani kryesues. Me vetëm dy gola të shënuar në katër javë, skuadra e Kapllanit është për rekord në Superligë, duke qenë të vetmit që nuk kanë pësuar ende gol. Kjo është humbja e parë e Partizanit këtë sezon.
Pas ndeshjes për Oversport foli trajneri i Partizanit, Giovanni Colella.
“Kur skuadra kundërshtare mbyllet pas, mund të bësh shumë pak. Kjo ndeshje ishte më e mirë se ajo me Bylis, edhe pse në Ballsh morëm tri pikët. Sot bëmë një gabim që na kushtoi shumë, patëm topin në zotërim. Nuk kam çfarë t’i them skuadrës.
Detyrat në fushë – Të gjitha të gjitha nuk i zbatuan, por futbolli kështu është. Një pjesë të mirë i realizuan mirë. Ka ditë që të dielave nuk shkon topi në portë.
Humbje e merituar – Kur një ekip fiton, është e kotë të flasësh nëse e merituan ose jo. Kur fiton ka të drejtë, ata luajnë në mënyrën e tyre, në mbrojtje ose jo.
Euforia – Nuk mendoj. Nuk kishim nënvlerësim. Nuk ka asnjë ndeshje të lehtë dhe këtë nuk e mendojmë. Është meritë e tyre që nuk kanë pësuar gol. Bëmë vetëm një gabim dhe pësuam gol. Bravo Erzeni, e kanë merituar.
Në pjesën e dytë kërkuam të bëjmë diçka më shumë, këtë i kërkova lojtarëve në pushim. Nuk jam i kënaqur, kemi bërë gabime më shumë kundër Egnatias dhe Bylis sesa sot. Ne jemi Partizani, nuk duhet të bëjmë këto gabime. S’jam i kënaqur kur fitojmë, jo më sot”, tha Colella.