Dinamo City triumfoi me përmbysje 2-1 ndaj Atletic Escaldes në transfertë, në stadiumin “Estadi FAF”, duke hedhur një hap të sigurt drejt kualifikimit në raundin e tretë të UEFA Conference League.
Blutë e Dinamos dominuan takimin dhe golat e fitores u shënuan nga Zabërgja dhe Qardaku.
Trajneri Ilir Daja e nisi me këtë formacion titullar: Teqaja, Meksi, R. Hoxha, Aliji, Lorran, Qefalija, Gasama, L. Vila, Bregu, Nani, Zabërgja.
Vendasit e Atletic Escaldes gjetën rrugën e rrjetës në fundin e pjesës së parë me Vieira.
Në fraksionin e dytë, Dinamo City përmbysi gjithçka. Ishte Zabërgja që barazoi rezultatin në minutën e 65-të, ndërsa Qardaku realizoi golin e fitores në të 86-ën, duke vulosur shifrat përfundimtare 2-1.
Ndeshja e kthimit Dinamo City – Atletic Escaldes do të luhet më 31 korrik, në stadiumin “Elbasan Arena”, në orën 20:45.