Të enjten e kaluar, kuqeblutë e Vllaznisë luajtën në transfertë ndeshjen e parë europiane të “Conference League” përballë boshnjakëve të Shiroki Brijeg, takim ky që u mbyll me fitoren e vendasve me rezultatin 3 me 1.
Ndërkohë, ndeshja e kthimit, e cila vendos edhe fatin e kualifikimit të njërës prej skuadrave të këtij çifti në turin tjetër do të luhet nesër(të enjten) në stadiumin “Loro Boriçi” duke nisur nga ora 21.00.
Në pritje të kësaj sfide, kuqeblutë kanë konsumuar disa seanca stervitore intensive, ku më së shumti janë përqëndruar në anën taktike dhe teknike duke piketuar edhe emrat me të cilët pritet ta fillojnë lojën nga minuta e parë.
Trajneri i parë Thomas Brdariç nuk do të jetë në pankinë për arsye të kartonit të kuq marrë ndeshjen e parë në Bosnje, por punën stervitore dhe përzgjedhjen e lojtarëve të formacionit është duke e bërë me kolegun e tij Elvis Plori, i cili për këtë ndeshje do të jetë në cilësinë e trajnerit të parë. Nisur nga aplikimi që stafi ka përdorur në dy seancat e fundit stervitore, në ndryshim nga ndeshja e parë në Bosnje, pritet të ketë ndryshime në emra futbollistësh si dhe të vendosjes së tyre në fushën e lojës duke i dhënë përparësi sulmit me forca të shumta me synim për të gjetur golin e avantazhit sa më shpejt.
Gjithnjë nga ajo që është parë në seancën e fundit, Vllanzia pritet ta nisë ndeshjen me portjerin Zogoviç në portë. Në repartin e prapavijës do të luajnë, Gurishta-Adili-Imami-Bulatoviç. Në mungesë të Ardit Krymit i ndëshkuar ndeshjen e parë me karton të kuq, përpara mbrojtjes është planifikuar të vendoset dyshja Kaleziç-Jonuzi dhe përpara tre mesfushorë-sulmues, Kruja-Da Silva-Djurdeviç dhe Haris Dilaver në majë të sulmit.