Tuesday, November 26, 2024

Cungu: “Shumë futbollistë shkodranë zgjedhin të largohen nga Shkodra. Ndeshja Vllaznia-Partizani tregon objektivat e secilës”

Lexo

Të enjten në “Loro Boriçi” do të luhet dueli i spikatur i javës së 3-të të Kategorisë Superiore, ai midis Vllaznisë dhe Partizanit. Trajneri i njohur, Armando Cungu dha një intervistë ekskluzive për “News 24” në emisionin “Sport News”, ku foli për çështje të ndryshme të elitës dhe për Kombëtaren.

Profesor, e prisje që në krye të ishte Skënderbeu, ka marrë 6 pikë të plota, kundër Egnatias dhe Dinamos, a është tani Tirana testi i tyre real?

Jam dakord me ty. Skënderbeu me plot meritë i fitoi ato dy ndeshje, edhe pse me djem të ri, morëm pikë që i rendisin në vendin e parë. Me kalimin e kohës do përballen me ekipe që janë mësuar për të fituar. Skënderbeu ishte surpriza e këtij fillim kampionati. Gradualisht do shikojmë që të pozicionohen skuadrat dhe do shikojmë se ku do shkojnë. Më pas do të kemi një konkluzion më të qartë.

Këtë fillim sezoni të gjithë prisnin që Tirana të ishte zjarr, por ka marrë 4 pikë në 2 ndeshje, për më tepër ka pësuar 4 gola. Duhet të shqetësohen te Tirana? Ka diçka që nuk shkon në këndvështrimin tënd?

Nga përvoja ime më kanë ndodhur raste kur ka patur ekipe që luajnë në Europë. Ekipet që luajnë në Europë, kanë sfilitje nëse mund të themi kështu.

Profesor, në Europë Tirana ishte zjarr, ka një super organikë, por Shehi kërkon kohë. A është Tirana ekipi për tu mundur?

Pavarësisht kalimit të tureve të Partizanit që me meritë i kaloi, ka rëndësi edhe shorti. Tirana ka lënë gjurmë më shumë se asnjë ekip tjetër në Kupën e Europës. Mos të harrojmë që ka patur përballë shumë ekipe të forta, as ekipi gjeorgjian nuk ishte shumë i lehtë.

Një tjetër sfidë shumë e rëndësishme e kësaj jave është Vllaznia-Partizani. Si e shihni këtë sfidë?

Ndeshje e rrallë. Ndeshje që mund të tregojë për objektivat e Vllaznisë dhe Partizanit. Është herët për të vlerësuar dhe për të dhënë një mendim më të qartë rreth objektivave reale.

Një Vllaznia e re, një Vllazni që duket më shumë bio, si të duket ky ekip që kanë ndërtuar këtë vit?

Shumë futbollistë shkodranë zgjedhin të largohen nga Shkodra. Është herët për të diskutuar, herët për të folur. Është shumë e vështirë që të bëhet një ekip nga e para. Natyrisht, do ketë firo, do ketë problematika. Koha do tregojë nëse gjërat janë bërë mirë apo jo. Do ishte hap pozitiv nëse Vllaznia renditet në katër vendet e para. Kur them katër vendet e para, them arritja e Europës.

Profesor, Partizani fitoi titullin, shkoi larg në Evropë, por sërish ka diçka që nuk e bind plotësisht ambientin e kuq, si të duket ky ekip, a mund ta mbrojë titullin?

Jam dakord me ty. Partizani ka luks në ekip. Nëse Tirana ka ndonjë problematikë të vogël, ndonjë pikë ku mund të çalojë (Psh sulmi), Partizani ka alternativa dhe ka një organikë të bollshme. Tirana ka qenë afër kampionatit vjet, ndoshta edhe e meritonte ta fitonte. I iku kampionati nga duart, por ky është futbolli. Numri një duhet të jetë Tirana këtë sezon.

Flasim pak për Kombëtaren profesor, si e përjetuat sfidën me Polonisë, çfarë do të thotë për Shqipërinë ajo fitore?

T’i thuash një shqiptari a u gëzove, natyrisht nuk do koment. Natyrisht që jemi gëzuar, kam plot arsye përse jam gëzuar. Kjo është një reklamë e madhe, ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë janë Sporti dhe Arti. Në sport kjo kombëtare na ka dërguar në Europian, po na dërgon përsëri. Tashmë jemi skuadër e bukur, gëzohem që po luajmë një futboll sulmues dhe modern. Kjo është meritë e trajnerit Silvinjo, i cili guxon të aktivizojë elementë të ri. Tek e fundit këtu i kanë patur e nuk i kanë aktivizuar. Asani ka qenë te Partizani dhe nuk e kanë thirrur. Raste të tjera ka mjaftueshëm, për shembull Daku apo Kristjan Asllani. Mitaj ka qenë sistematikisht pjesë e skuadrave zinxhirë kuqezi, por pati pak minuta për kombëtaren. Unë mendoj që e kemi prekur Europianin.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img