Dinamo mori një fitore dramatike përballë Vllaznisë duke përmbysur rezultatin në sekondën e fundit. Pas ndeshjes, trajneri Ilir Daja, foli për RTSH Sport:
“Që kur erdha thashë që këto javë të para duhet të jemi cinik për të marrë pikë e për të rikuperuar gjendjen psikologjike. E ndjemë pjesën e parë për meritë të Vllaznisë. Kishim probleme personaliteti në fushë. Në pushim nuk u mora fare me anën taktike, u thashë djemve: Humbeni ndeshjen, por humbeni si duhet dhe jo kështu si në pjesën e parë.
Kartoni i kuq ndikoi. Pikët janë të rëndësishme, duhet të kthehet besimi. Shyqyr që kemi edhe një ndeshje e më pas pauza. Do të punojmë të ndryshojmë disa gjëra. Duhet të kemi vazhdimësi dhe kemi shumë gjëra për të përmirësuar.
Nuk kishte shumë për të folur për taktikën. Sot luajtëm 4-4-2 romb me Bregun në majën e rombit, por ai spostohej disa herë majtas për shkak të lojës. Nuk kishim kohë të punonim 11 me 11. Zhvendosja e Bregut jo në qendër do bëhej kur Aliji të dilte në fundore. Unë po ngjiresha duke i thënë Maliqit e Alijin të shkonin në fundore dhe të vetmin rast kur shkuan ne shënuam golin e barazimit. Gabim që bëmë ne ishte që luajtëm me krosa nga Aliji e Toli kur Vllaznia ka lojtarë të fortë në ajër.
Karamba dhe Goudiaby çalojnë në anën teknike? Filloj nga Bregu, pavarësisht se ai ka cilësi për të bërë diferencën, nesër ai do të ketë një dush të ftohtë. Pasi në disa momente kur ishin 3-4 lojtarë, nuk mund të godasë kur ndodhet në pozicion vijë fundore.
Karamba është i ri dhe ka cilësi të mira, sot ishte në gjendje jo të mirë. Goudiaby mund të bëhet një 6-sh shumë i mirë por duhet të ndryshojë mënyrën e të luajturit. Do të jemi të durueshëm për të ndërtuar lojën ashtu si e kërkoj unë. Dua që lojtarët e mi të kenë më shumë personalitet në lojë”, tha Daja.