Skënderbeu ka triumfuar në shtëpi me përmbysje përballë Dinamos, në sfidën e vlefshme për javën e 32-të të Superiores. Ndeshja e zhvilluar në Korçë, përfundoi 4-1 në favor të vendasve. Në përfundim të këtij dueli ka folur trajneri i Dinamos, Ilir Daja.
“Lojtarët e rinj bënë një pjesë të parë goxha të mirë duke ditur që janë lojtarë të U-19 se, në ndeshjen e fundit kishim 3 lojtarë mangët, Lorran, Aliji dhe Toli, ishim të detyruar ti merrnim nga U-19. Në pjesën e dytë dhe nga marrja e dy golave të shpejtë dhe rëndimin e fushës u prishën ekuilibrat. Do të veçoja Çelkupën që për 90 minuta nuk bëri asnjë gabim, të tjerët bënë një paraqitje të mirë.
Ajo që ndryshoi me fillimin e pjesës dytë ishte jo vetëm golat e shpejtë por edhe largimi i Meksit dhe Karambës, ky i fundit vjen nga dëmtimi. Dalja e këtyre të dyve, bëri që Jonuzi të dilte në një pozicion tjetër, dhe ekipi ra duke prishur ekuilibrat. Besoj që të enjten as Toli dhe Lorran nuk do jenë, por na rikthehet Aliji dhe kemi Nanin që mund të rikuperohet plotësisht deri të enjten.
Nuk kishim alternativa të tjera, sot paradite vendosëm kush do të jetë para mbrojtjes, vetëm Karamba mund të luante 45 minuta, Gudiabi mund të luante pak dhe Qefalija kishte probleme, nuk kishim zgjedhje tjetër, i përdorëm të gjithë lojtarët që kishim në pozicion”, tha ai për RTSH Sport.