Partizani ka arritur të triumfojë në derbi përballë Dinamos me rezultatin 2-1 duke i shkaktuar humbjen e parë trajnerit Ilir Daja që nga momenti që është ulur në stolin e bluve. Pas ndeshjes, Daja u shpreh:
“Sigurisht që edhe kur fiton ke momente që duhet të kesh pengje, jo më kur humbet. Ajo që është në këtë rast, ishin dy gola identikë, që ndonëse merrej topi në distancë nga Cara, duhej të ishte një bllokues që të mos lejonte goditjen përfundimtare, po të njëjtën me Rrapajn, Mendoj se ka qenë një lojë e barabartë, e hapur, një derbi i bukur për t’u parë me raste nga ne dhe kundërshtarët. Ne duhej të ishim me efikas në pjesën e parë se dolëm në fundore por gabuam pasin e fundit. Futbolli i ka të pranishme të tre rezultatet, nuk na vjen mirë që humbëm ndeshjen, por pozitive ishte që djemtë për 90 minuta nuk u dorëzuan, kërkuan deri në minutën e fundit.
Të dy sulmuesit e krahut të Partizanit, janë lojtarë të disiplinuar taktikisht, por shtrëngojnë linjat anësore, që do të thotë që linja sipër e krahëve, do bënte që Carën e Zekën t’i spostonim larg portës, gjë që ndodhi. Por kur një sulmues krahu mbron krahun, ka defekte në mbylljen prapa shpinës, kjo rezultoi që funksionoi, sidomos nga Lorran, të dilnim disa herë pas shpine, gjë e punuar në seancat stërvitore.
Gjithmonë ndërrimet janë thikë me dy presa. Që do të thotë që dalin dhe nuk dalin, Nëse kemi konsoliduar një manovër, kemi edhe lojtarë në stol që mund t’i fusim. Kur bën ndërrimin duhet menduar edhe e mira, edhe jo e mira. Në ndonjë moment në minutat e fundit, që nuk na e leverdiste më loja që po bënim, kaluam në aventurë. Ato minuta, edhe pse kaluam me 5 përpara, sigurisht që menduam se mund të rrezikonte kundërshtari në hapësirat që linim mbrapa, por në një derbi duhet bërë gjithçka për gjithçka”, tha Daja për RTSH pas ndeshjes.