Pas disa barazimesh radhazi, Dinamo është rikthyer te fitorja në kampionat, teksa mundi Laçin 2-0 në “Elbasan Arena”. Pas kësaj sfide ka folur trajneri fitues, Ilir Daja.
“Ishte shumë e rëndësishme që u kthyem te fitorja dhe akoma më e rëndësishme që përballë kishim një Laç që në 2025 ka bërë goxha mirë si në marrjen e pikëve, edhe në interpretimin e lojës. Kjo ishte gjëja më e rëndësishme sot, jo vetëm marrja e tre pikëve, por me një kundërshtar që na ndiqte nga mbrapa, pavarësisht diferencës, por që edhe gëzonte formë të mirë sportive. Na vjen mirë që grupi po kompletohet, edhe pse e dimë që Dita, Itodo apo edhe të tjerë nuk janë në gjendjen optimale. Por në minuta që na duhen, kur ke një grup të plotë, mund të ndërhysh në çdo moment.
Ishte një kthim i Bregut me dy gola, në vjen mirë, se është element i rëndësishëm i yni. Te i pari është veprim i mrekullueshëm individual, siç posedon karakteristikat teknike, na vjen mirë që kthehet me dygolësh e lojë goxha të mirë. Ishte nga ata që ndoshta nuk ra në sy, por hapte më shumë zona te kundërshtari. Por vetë faktin që nuk mund të them pse ndodhin gabimet, sepse dua t’i ruaj edhe unë lojtarët e mi, por po e them në përgjithësi që janë gabime që nuk duhet të ndodhin se janë veprime të thjeshta me gjestin teknik, edhe pse ajo shoqërohet me informacion paraprak që disa lojtarë tanë nuk e kanë, ose vendosjen në fushë në raport me situatën e vendndodhjen e topit nuk e kanë të mirë. Ndaj shkojmë te ato gabime. Por unë si trajner mundohem të mbroj lojtarët dhe vetëm kaq mund të them.
Futbolli është sport subjektiv që asnjëherë nuk mund të thuash që nëse do të kisha… Por po të kisha kontingjentin e gjithë potencialin, do të kisha akoma më shumë pikë, se dihet që në fund diferencën brenda një ekipi e bëjnë lojtarët që janë cilësorë”, tha Daja për RTSH pas përfundimit të ndeshjes.