Sunday, November 24, 2024

Derbi i kryeqytetit nuk ka fitues. Dinamo-Partizani, barazim 1 me 1

Lexo

Kryeqyteti ka rigjetur të premten në mbrëmje një tjetër derbi të tij, atë midis Dinamos dhe Partizanit, që i kishte munguar përgjatë 12-vjeçarit të fundit, ose më saktë, për plot 4,591 ditë, teksa blutë 18 herë “kampionë” kanë qenë pritës përballë të kuqve 16-herë “kampionë” të Shqipërisë në përballjen që ka shtegtuar nga Tirana, për t’u luajtur në Stadiumin “Elbasan Arena”. Në fakt, pjesa e parë ka nisur me një lojë të hapur dhe sulmuese të të dyja skuadrave, por rastin më të rrezikshëm e ndërton Dinamo, teksa Sidibe godet rrezikshëm nga larg në minutën e 7-të, ndërsa provon 5 minuta më pas edhe Mihana.

Partizani kundërpërgjigjet në minutën e 15-të, me anë të Stenio Zhunjorit, që rrezikon, por vonohet dhe, në krahun tjetër, nuk gabon Agim Ibraimi, që shfrytëzon më së miri pasimin e Sidibesë dhe mposht portierin e të kuqve, Alban Hoxha. Skuadra e trajnerit Ilir Daja përpiqet të riorganizohet pas pësimit të golit, por Dinamo e administron mirë lojë dhe Ibraimi e vë seriozisht në provë në minutën e 24-t.

20 minutat e fundit të pjesës së parë shohin Partizanin më këmbëngulës dhe fillimisht portieri Harizaj i mohon golin Tedi Carës, në të 25-të, kur Belica nuk koordinohet siç duhet me topin dhe shpërdoron si në 30-ën, ashtu edhe në të 35-ën, kurse ndërmjet këtyre episodeve, Shofranac bën një ndërhyrje vendimtare, duke i larguar topin Esat Malës në momentin e fundit për një goditje këndi.

Me Partizanin që këmbëngul edhe me Mustën, por edhe me Dinamon që pretendon për 11-metërsh, pjesa e parë do të mbyllet pas një minute shtesë, aty ku blutë kanë humbur Shofranacin, teksa ngjyra e kartonit për ndërhyrjen ndaj Zhunjorit bëhet nga e verdhë në të kuqe, pasi konsultimit të kryesorit Cjapi me Sistemin e Ndihmësgjyqtarit të Videos (VAR).

Ajo e dyta do të shohë Partizanin, tashmë në epërsi numerike, që do të kërkojë të zhbëjë disavantazhin e golave, por gjen përpara Harizajn, që nuk e lejon prekjen e rrjetës së tij, duke e ndalur Carën si në minutën 48-të, ashtu edhe atë të 65-të, por edhe Rrapajn dy minuta më pas, ndërsa në minutën e 68-të, është vetë Cara që shpërdoron në mënyrë të pabesueshme fare pranë vijë fatale.

Sidoqoftë, përpjekjet e Carës shpërblehen 15 minuta para fundit të kohës së rregullt dhe pikërisht atëherë kur po bëhej gati ndërrimi i tij, teksa 21-vjeçari fiton një 11-metërsh që, pas certifikimit nga VAR-i, shndërrohet në gol nga Zhunjor.

Çerekora e fundit e kohës së rregullt dhe 5 minutat shtesë kanë qenë të luftuara, me të dyja skuadrat që nuk kanë ngurruar të rrezikojnë për të gjetur golin e fitores, por pa rezultat, sepse derbi i 137-të midis Dinamos dhe Partizanit mbyllet në barazim 1-1.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img