Mbyllet në barazim 1-1 derbi i kryeqytetit. Një sfidë emocionuese plot tension e luajtur në “Arenën e Demave”. Ndeshja nisi 30 minuta me vonesë, për shkak të vonesës në mbërritjen në stadiumin “Arena e Demave” të skuadrës së Tiranës. Ndërkohë nuk munguan as incidentet para nisjes së derbit, teksa tifozët nisën të përlesheshin me njëti tjetrin, aty ku u desh ndërhyrja e policisë për të mos lejuar agravimin më tej të situatës.
Sfida nisi e ekuilibruar me të dyja skuadrat që studiuan njëra tjetrën në 15 minutat e para. Për të parë rastin e parë të rrezikshëm do duhet të vinte minuta e 16 me sulmuesin e të kuqve Bintsouka që depërtoi nga e majta goditi portën, por Selmani e devijoi në këndore. Rrugën e rrjetës e gjen Tirana, që në mundësinë e parë ndëshkon “të kuqtë” me Ernest, që realizon një gol shumë të bukur. Partizani tenton reagimin menjëherë. Në të 36 minutë Taipi provon nga një goditje dënimi të gjejë portën e Selmanit, por tentativa e tij ndalet pak centimetra mbi kuadrat. Në të 40 Tirana i afrohet golit të dytë, teksa me kokë Zharmouni godet dhe rrezikon të shënojë, por Qirko shpëton portën e të kuqve me një pritje mjaft të bukur. Me rezultatin 0-1 për bardheblutë mbyllet pjesa e parë.
Në fraksionin e dytë të lojës, Partizani sulmon në kërkim të golit të barazimit, por Tirana administron avantazhin dhe mundohet që të godasë në kundërsulm. Atëherë kur dukej se Tirana do të merrte fitoren që mungonte prej 9 ndeshjesh derbi, është Sembene që shënon golin e barazimit për Partizanin.
Ka tension dhe përplasje mes lojtarëve në fushë pas shënimit të golit. Gjyqtari Hamiti ndëshkon me kartonë të kuq Taipi, Bytyçin dhe Gudjufin nga Partizani dhe Gjumsin, Markun, Micin, Kozin dhe drejtorin Ibrahimi nga Tirana.
Mbyllet 1-1 derbi. Partizani ngjitet në kuotën e 40 pikëve, ndërsa Tirana në kuotën e 23 pikëve.