Dikur, kur ishin kohët e arta të futbollit lezhjan, Vllaznia dhe Besëlidhja dhe Besëlidhja-Vllaznia, me sfidat e tyre të derbit verior Shkodër-Lezhë, dhe Lezhë-Shkodër, mbushnin stadiumit përkatëse të qyteteve të tyre me numër rekord spektatorësh.
Tashmë, në skenë ka dalë një derbi tjetër, ai i basketbollit meshkuj, dhe kjo falë lezhjanëve, të cilët duke “kopjuar” Egnatian në futboll, janë lidër të basketbollit shqiptar, kampion në fuqi dhe pretendent kryesor për të bërë të njëjtën gjë edhe këtë sezon sportiv.
Pas sfidës së parë Play Off të luajtur në pallatin e sportit “Asllan Rusi” të kryeqytetit dhe të fituar nga lezhjanët me rezultatin 78-65, sot, në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës, është radha për ballafaqimin e dytë gjysmëfinal.
Ndeshja në fjalë, në fakt ka qënë e programuar të luhet ditën e dielë, por Federata Shqiptare e Basketbollit e ka shtyrë për sot, për të nisur nga ora 19:00.
Krahas derbit verior, Shkodër-Lezhë, në fushën e lojës ka edhe një “derbi” tjetër, ai mes dy trajnerëve shkodranë që drejtojnë skuadrat respektive, Eni Llazani i Vllaznisë dhe Afrim Bilali i Besëlidhjes, të cilët në hapat e parë të tyre kanë qënë pjesë e ekipit të parë privat në Shkodër, “Shkodra Basket” që aso kohe drejtohej nga dy pasionatë të basketbollit Shpëtim Hoxha dhe Korab Llazani.
Një sfidë, kjo e sotmja, e cila ka marrë vemendjen e plotë të opinionit sportiv, ku përpos tifozërisë së zjarrtë shkodrane, të shumtë pritet të jenë edhe tifozët lezhjanë në përkrahje të skuadrës së tyre Besëlidhja.
Në kampin kuqeblu, drejtuesit e Shoqatës së Basketbollit Vllaznisë, ashtu si edhe në ndeshjet e tjera, presin mbështetjen e tifozërisë kuqeblu, gjë të cilën ia kanë kërkuar publikisht, edhe përmes postimit në faqen e tyre zyrtare.
“Asht koha me tregu kush e ka zemrën ma të madhe!
Për 40 minuta, me ba zhurmë, me ndez atmosferën, me i dhënë djemve tanë fuqinë që vetëm SHKODRA di me dhënë!
Nuk ka ndeshje pa tifozët tanë – ju jeni fuqia që e kthen çdo minutë në luftë!
Të hënën, veç një mision:
MBUSHIM PALLATIN , 40 MINUTA SHUMË TE GJATA NE SHKODËR”.