Ka dështuar mbledhja e Shoqatës së Futbollit të Tiranës. Përfaqësuesit e shoqatave të Tiranës kanë deklaruar se FSHF ka prodhuar lista fiktive votuesish në momentin e fundit, duke falsifikuar listat e votuesve. Por pavarësisht prodhimit të listave me votues fiktivë në momentet e fundit nga FSHF, mbledhja ka dështuar, pasi ky skandal i madh në botën e futbollit shqiptar është denoncuar hapur dhe nga mediat, të cilët mbetën jashtë dyerve të mbyllura.
Kandidati për Shoqatën e Futbollit Rajonale të Tiranës Eduard Prodani ka denoncuar skandalin me manipulimin e listave të votimit nga ana e kreut të FSHF, Armando Duka. Në një dalje për mediat pas dështimit të mbledhjes për shkak të mungesës së kuorumit, Prodani theksoi se i gjithë organizimi i bërë nga Federata është në kushtet e konfliktit të pastër të interesit.
“ Ka manipulim të listave, nuk na është dhënë numri i delegatëve. Nuk mund të shkosh në votime pa ditur se kush voton për ty. Qëllimi është shumë i qartë për të manipuluar listat e delegatëve Mbledhja drejtohet nga njerëz të federatës dhe nuk duhej të bëhej në këtë godinë, është njësoj sikur mbledhjet e Federatës së Futbollit të bëhen në UEFA.
Kishte fytyra që ne nuk i kishim parë asnjëherë. Asamble tërësisht e manipuluar. Shoqata nuk ka staf, i gjithë organizimi është bërë nga federata në konflikt të pastër interesi. Nuk mund të marrim pjesë në një Asamble në të cilën është e mbushur salla me njerëz që nuk e dimë nga vijnë, ndryshe do ishte që të bëheshim ortak në këtë estradë. Jemi 41 shoqata, aty ishin 67 anëtare”, tha Prodrani.