Java e 21-të të Kategorisë së Parë, e cila ka nisur të premten, duke i luajtur të shtunën shumicën e ndeshjeve dhe ka vijuar edhe të dielën, është mbyllur të hënën me duelin Dinamo-Korabi. Kjo ndeshje, e zhvilluar në stadiumin “Selman Stërmasi” i ka parë të dyja skuadrat me shansin e fundit për të ruajtur hapin me dy skuadrat e tjera që synojnë ngjitjen në Kategorinë Superiore, Skënderbeun dhe Flamurtarin. Pjesa e parë ka qenë e tensionuar dhe, teksa ka parë Dinamon të shpërdorojë raste të pakta, por të mira për shënim, në minutën e 36-të, Korabi do të mbetet me 10 lojtarë, pasi Tabaku do të marrë kartonin e dytë të verdhë dhe do të dalë nga loja me karton të kuq.
Me Dinamon që do të këmbëngulë në kërkim të goli të epërsisë, por pa e gjetur atë, por me rrjeta të paprekura do të mbyllet pjesa e parë. Ajo e dyta do të shohë një lojë të hapur dhe të luftuar nga ana e të dyja skuadrave, dhe Dinamo do të shohë shtyllat e portës dibrane t’i mohojnë dy herë golin, fillimisht Mijës në të 61-tën e më pas Denisonit, i cili pretendoi, mbase me të drejtë, se topi e kishte kaluar vijën fatale 3 minuta më pas. Në krahun tjetër, Krosta i mohon Kekos golin në minutën e 65-të, por fati i ndeshjes do të vendoset në çerekorën e fundit të ndeshjes, kur Dinamo do të gjejë golin që vlen 3 pikët, me autor Danajn.
Nuk ka më gola deri në fund dhe blutë kryeqytetas marrin fitoren që i rikthen në vendin e dytë në renditjes, në kuotën e 40 pikëve, një më pak sesa Skënderbeuu kryesues dhe dy më tepër sesa Flamurtari, ndërsa Korabi mbetet në vendin e 4-t, në kuotën e 32 pikëve.