Thursday, July 24, 2025

Dorëhiqet, trajneri i Partizanit, Skënder Gega

Lexo

“FK Partizani njofton se trajneri Skënder Gega ka paraqitur dorëheqjen nga detyra, e cila është pranuar nga Presidenti i klubit”. Pak fjalë, të thjeshta, për të treguar një tërmet të madh në klub. Të kuqtë mbeten pa trajner ekzaktësisht një muaj nga nisja e kampionatit. 61 vjecari Gega është tërhequr nga detyra, duke vendosur të mbyllë një bashkëpunim, që duke parë aprovimin e presidentit Gazment Demi në këtë fazë të sezonit, ka qenë i padëshiruar edhe nga klubi.

Eliminimi i befasishëm në raundin e parë të Conference League kundër Nomme Kalju ka qenë pika që ka derdhur gotën. Lëvizjet në merkato dhe një skuadër që pa debutimin e dy 16 vjeçarëve e një 18 vjeçari në Europë nuk mund të përmbushte pritshmëritë që Skënder Gega kishte kur rimori drejtimin e Partizanit në mars të këtij viti. Tropojani e drejtoi Partizanin në 11 ndeshje, mes kampionatit, Final 4 dhe kupave të Europës, duke marrë 5 fitore, 2 barazime dhe 4 humbje.

Jo ekzaktësisht një bilanc pozitiv, por në situatën në të cilën u gjend klubi pas shitjes së 4 lojtarëve kryesorë, arritja e një vendi në Conference League u duk shpëtim dhe justifikimi, i asaj për të cilën Gega u mor: ndërtimin e një skuadre kampione. Por njësoj si në aventurën e tij të parë në krye të Partizanit, çështjet e merkatos u kthyen në divergjenca që e detyruan Gegën të bënte mënjanë.

E kështu, Partizani mbetet pa njeriun që u festua nga tifozët e klubi si kampioni që do të kthente suksesin te të kuqtë, por që tani, një muaj para fillimit të kampionatit, përcillet me një postim të thatë e fjalët e zakonshme “E falënderojmë trajnerin Gega për kontributin dhe profesionalizmin e treguar gjatë kësaj periudhe dhe i urojmë suksese në vazhdim”.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img