Dritan Mehmeti debuton me një fitore force në stolin e Partizanit që e nis vitin me suksesin e rëndësishëm në transfertën e Rrogozhinës ku Egnatia merr një shuplakë të rëndë, sinjal që tregon se si do të jetë sezoni i debutuesve. Skuka shenjestron në të parën me fanellën e kuqe, ndërsa skuadra kryeqytetase tregoi karakter dhe një fytyre ndryshe duke grumbulluar tri pikë shumë të rëndësishme në optikën Europë.
Trajneri Mehmeti habiti jo pak me vendimin për të hedhur në fushë ishin e Dinamos ndërsa sinjalin e parë e dha Marku me një goditje dënimi aspak shqetësuese për Pujën. Nuk e hoqi këmbën nga gazi Partizani që tentoi me Stenio Zhunior, por Krasniqi i mohoi golin brazilianit ndërsa të kuqtë mund ta kishin pësuar keq në të 28-ën kur traversa u bë aleat i Hoxhës me Demi Imerin të dëshpëruar.
Ndeshje e luftuar që u ndez edhe më shumë nga një mundësi e Partizanit, që pretendoi për një 11-metërsh por kontakti i Skukës me Krasniqin u cilësua i rregullt për kryesorin Bajrami. Egnatia humbi Eler në minutat e fundit të pjesës së parë, vendin e të cilit e zuri afrimi i merkatos së dimrit, Ildian Shyti por muzika nuk ndryshoi në fushën e lojës ku Partizani sërish me Skukën që tentoi roveshatën, mund të kishte shkuar në dhomat e zhveshjes në avantazh edhe pse ishte punë minutash që ndeshja të zhbllokohej.
Esat Mala mori përsipër gjithë përgjegjësinë pasi klasi ia lejon një gjë të tillë, duke shënuar golin e parë të ndeshjes që mori një rrjedhë tjetër pasi të kuqtë e vazhduan ndeshjen pa presion. Stenio Zhunior mund të kishte bërë më shumë në këtë rast ndërsa Imeri reagoi në krahun tjetër por Sota u tregua i vëmendshëm duke izoluar mesfushorin e lindur në Maqedoninë e Veriut.
Ishte pikërisht Sota që pak momente më vonë peshkoi Skukën me një top ideal që në këmbët e sulmuesit u përkthye në golin e sigurisë për të kuqtë që më pas shënuan edhe të tretin me Rrapajn që gjen rrjetën e tretë personale këtë sezon në kampionat. Sukses me peshë për Partizanin që gjen buzëqeshjen pas dy disfatave radhazi, ndërsa Egnatia mbetet në zonën e ftohtë, tashmë me dy pikë më pak se Skënderbeu dhe me frymëmarrjen kërcënuese të Kastriotit.