Për basketbollin shkodran pritet të kete lajme të mira. Shqetësimi i ngritur nga vetë basketbollistët kuqeblu, por edhe opinioni sportiv shkodran se pas largimit të presidentit Alban Xhaferi situata e basketit në qytetin verior mund të përkeqësohet duket se i ka dalë për zot përsëri Alban Xhaferi.
Vertet që angazhimet e tij të shuma që ka në fushën e biznesit, por më së shumtmi edhe pozicion aktual që mban si president i KF Vllaznia ia kanë bërë të vështirë vazhdimësinë e financimit në sektorin e basketbollit. Por, është vetë Xhaferi që duket se ka kërkuar rrugët e zgjdhjes së këtij problemi.
Nga sa mësohet, gjatë periudhës së ndërrimit të viteve, por edhe në ditët e para të janarit, zoti Xhaferi ka pasur kontakte të shumta me miqtë e tij të fushës së biznesit duke i ofruar mundësinë e vazhdimit të postit të tij si president i basketbollit shkodran.
Një mbledhje e organizuar sot në mjediset e kompanisë private të zotit Xhaferi, FUJIFILM Albania i Medical Systems në qytetin e Shkodrës, me përfaqësues të shoqatës së basketbollit shkodran, duket se i ka dhënë “dritën jeshile” basketbollit shkodran.
Kështu, gjithnjë nëse gjërat do të shkojnë si duhet, dhe në fakt hapat e parë janë të tillë, nga Alban Xhaferi presidenca e Vllaznisë së basketit pritet të kalojë tek një Alban tjetër, mik dhe koleg i Xhaferit. Bëhet fjalë për Alban Balën, një biznesmen i njohur dhe serioz i qytetit të Shkodrës, i cili paraprakisht ka dhënë pëlqimin dhe gatishmërinë e tij për të ndihmuar basketbollin shkodran.
Lajm i mirë është edhe fakti që vetë Xhaferi ka shprehur gatishmërinë që shkëputja e tij të mos jetë e menjëhershme por në mënyrë graduale. Që do të thotë, se me pasionin dhe dashamirësinë që ai ka për basketbollin do të vijojë të kontribuojë financiarisht përkrah kolegut të tij të ri, apo edhe kolegëve të tjerë që mund të afrohen në vazhdim, derisa situata të stabilizohet.