Për teknikun tiranas, Shpëtim Duro, barazimi i marrë sot në transfertën kuksiane, ishte shumë pozitiv. Nën gjykimin e tij, ky barazim mban jo vetem Kukësin, rivalin kryesor të Laçit për vendin e dytë, poshtë tij, por në të njëjtën kohë, shumë pozitiv e konsideron edhe barazimin e “Loro Boriçit”, mes Vllaznisë dhe Partzanit.
Duke folur menjëherë pas ndeshjes së mbrëmjes së sotme për mikrofonin e SuperSport, trajneri kurbinas, Shpëtim Duro, tha: “Morëm atë që donim. Tani bëhen edhe llogaritë, sot objektivi ishte të fitonim, por edhe barazimi është rezultat i mirë. Kishim shanse edhe për ta fituar këtë takim. Mazrekaj bëri një ndeshje të mirë dhe ishte i rëndësishëm për skuadrën. Ishte presioni, ambienti dhe të gjithë mendonin se Kukësi do të fitonte, por nuk fitohet me festa dhe inagurimi. Ishte kënaqësi që luajtëm në një stadium të tillë. U thashë çunave që ne duhet të luajmë futboll dhe të mos mendojmë për faktorët e tjerë”.
Në vijim, Duro vleërësoi stadiumin e ri të Kukësit: Mezi e prisnim, janë stadiumet që të rrisin personalitetin. Kishin ardhur shumë tifozë, personalitet dhe është një gjë e bukur për futbollin tonë që ka ndryshime rrënjësore nga viti në vit. Kam më shumë se dy dekada si trajner dhe e di vështirësitë që kemi kaluar, por viteve të fundit edhe lojtarëve u duket vetja, tamam njeri.”
Duke iu rikthyer analizës së ndeshjes, Duro, rinënvizon kënaqësinë e barazimit të marrë në “Kukës Arena”. “Në fund të ndeshjes, isha super i kënaqur. Erdhëm për të fituar, por edhe barazimi është i kënaqshëm pasi Kukësi është rivali direkt. Më kënaq skuadra pasi luajtën ashtu siç e kisha parashikuar në fillim. Jam i kënaqur me lojën dhe me barazimin këtu. Kur ke kundërshtarë si Vllaznia pasi tani duhet të bëjmë llogari, Vllaznia po të fitonte me ne do afroheshin, njësoj edhe sot me Kukësin që po të fitonin do afroheshin me ne dhe vendi i dytë do të rrezikohej që sot. Nëse arrijmë vendin e dytë në kampionat, si dhe fitojmë edhe Kupën e Shqipërisë, është arritje historike. Nëse nuk do të isha larguar, isha i bindur që skuadra do të luftonte për titull. Nuk më pëlqen kjo diferencë me Tiranën pasi e them me bindje që nuk kemi shumë diferenca me Tiranën edhe pse janë me meritë në krye”, përfundoi prononcimin e tij për emisionin, “Gol pas Goli”, tekniku i kurbinasve, Shpëtim Duro.