Numri 1 i FIFA-s e ka falënderuar numrin 1 të SHBA-ve për mbështetjen, duke vërtetuar edhe një herë se futbolli e bashkon botën.
Dyshimet për pjesëmarrjen e Iranit në Botërorin 2026, duke parë konfliktin aktual mes republikës islamike dhe SHBA-ve, kanë qenë në qendër të vëmendjes mediatike dhe sidomos asaj sportive. Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, me një postim në ‘X’, ka dashur të konfirmojë se nga organizatorët nuk ka asnjë masë përjashtuese për vendin aziatik nga ky event.
“Këtë mbrëmje takova presidentin e SHBA-ve, Donald J.Trump, për të diskutuar në lidhje me përgatitjet për Kupën e Botës dhe entuziazmin në rritje për eventin që nis pas 93 ditësh. Folëm edhe për situatën në Iran dhe faktin që kombëtarja e këtij vendi është kualifikuar për në Kupën e Botës.
Presidenti Trump garantoi se kombëtarja iraniane është e mirëpritur të marrë pjesë në Botëror. Kemi të gjithë nevojë për një event si Kupa e Botës për të bashkuar njerëzit, tani më shumë se kurrë. E falënderoj presidentin e SHBA-ve për mbështetjen”, – ka shkruar Infantino.
Mbetet për t’u parë, nëse regjimi i ayatollah do të japë miratimin për pjesëmarrjen në Kupën e Botës. E paevitueshme frika për kërkesa të mundshme për azil politik gjatë Botërorit, siç ndodhi me 5 lojtare të kombëtares së femrave në Kupën e Azisë në Australi.
Vajzat u vunë në shënjestrën e regjimit iranian, kur refuzuan të këndonin himnin para ndeshjes së parë kundër Koresë së Jugut. Ato u quajtën “tradhtare në kohë lufte” nga Teherani. Para nisjes për në Sydney, 5 prej tyre i shpëtuan mbikqyrjes, u larguan nga hoteli dhe kërkuan azil politik, që më pas e fituan.


