Saturday, November 23, 2024

EKSKLUZIVE/ “Besoj te vendi i katërt”, Sedloski s’dorëzohet: Kemi ende diçka në dorën tonë!

Lexo

Trajneri Goce Sedloski nuk dorëzohet për shanset që ka Vllaznia në javën e fundit të kampionatit, teksa të hënën do të luajë në transfertë ndaj Bylisit, që lufton për mbijetesë në elitë.

Barazimi i fundit ndaj Laçit e ka zbritur ekipin shkodran në vendin e pestë, ndërsa një fitore e mundshme në Ballsh, e kombinuar me një humbje ose barazim të Teutës ndaj Partizanit, e katapulton sërish Vllazninë të katërtën, një pozicion që të çon në Europë. Sedloski ka komentuar për gazetën “PRANORAMA SPORT” atë që nuk shkoi në ekipin e tij, si dhe besimin që ka për një fitore kundër Bylisit.

Vetëm barazim ndaj Laçit, në një ndeshje ku kishit shansin të bënit një hap të madh për Europën. Çfarë nuk shkoi te Vllaznia?
Këto janë ndeshje të vështira, sepse është fundi i kampionatit. Edhe vetë lojtarët janë të ngarkuar dhe për më tepër kur kërkohet fitorja bëhet më e vështirë. Kemi arritur të shënojmë shpejt me fillimin e pjesës së dytë, por menjëherë ekipi është kthyer prapa dhe e kemi lejuar Laçin që të krijoj shanse për gol dhe të na barazojë. Kemi pasur mundësi për të ndryshuar rezultatin, por kjo nuk ndodhi. Mendoj se ky rezultat 1-1 ishte i drejtë.

Si e shpjegoni shpërbërjen e ekipit pas minutës së 60-të?
Edhe unë pyes veten për këtë. Asnjëherë nuk kërkoj që ekipi të kthehet prapa, por mund të jetë ndonjë problem i përgatitjes fizike ose diçka tjetër. Mund të kenë luajtur nën stres, nga që ka qenë një ndeshje shumë e rëndësishme për objektivin tonë. Tani na mbetet që të luajmë edhe takimin me Bylisin, ku do të shohim çfarë do të bëjmë mirë.

I druheni një dështimi për synimin që keni?
Jo. Ende kemi diçka në dorën tonë. Mund të them se ky kampionat është shumë i veçantë, si për fitimin e titullit, ashtu edhe për Europën apo mbijetesën. Tani na duhet që të çlodhemi në aspektin psikologjik, për të bërë sa më mirë në ndeshjen e fundit. Jam duke u përpjekur që të bëj ndryshimet e duhura për të arritur rezultatet. Sa e fut nën presion fitorja e Teutës ekipin tuaj, pasi jo gjithçka tani varet nga ju për vendin e katërt? Teuta ka dy takime që fiton, por tani luajnë ndaj Partizanit, që është në luftë për titullin. Ne duhet të fitojmë ndeshjen tonë, ndërsa te Partizani-Teuta të ndodhë çfarë të ndodhë.

Pati shumë kontestime për arbitrimin në ndeshjen ndaj Laçin, cili është komenti juaj?
Të tilla janë këto ndeshje, si te penalltia, si te lojtari i fundit, janë të gjithë në emocione. Tani që ndeshja ka përfunduar, nuk kam çfarë të them më për arbitrat. Teuta e katërta, Vllaznia e pesta dhe Laçi i gjashti. Pak pikë diferencë, kush mendoni se do t’ia dalë? Është e vështirë që të jepet një prognozë. Të gjithë shikojnë shansin e tyre. Ne duhet të fitojmë ndaj Bylisit, kjo është e gjitha.

Bylisi ndali Tiranën, mund të fitojë kjo Vllazni në Ballsh?
Do ta provojmë.

ADMIR URUÇI

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img