Wednesday, February 21, 2024

E krahasojnë me Modric, “shqiponja” Adrion Pajaziti: Motivohem nga Broja, dua magjinë e Champions

Lexo

Nuk ka lindur me top, por nuk i është ndarë që në moshë të vogël. Adrion Pajaziti, i huazuar te Haugesung në Norvegji nga Fulham, rrëfehet në rubrikën e FSHF, “Talenti shqiptar”, duke treguar si nisi gjithçka për të e për të vijuar me ëndrrën e tij të madhe dhe shumë tema të tjera. Mesfushori, pjesë e Shqipërisë U21, beson shumë te potenciali i kombëtareve tona, ndërkohë që zbulon edhe më kë e krahasojnë dhe kush janë lojtarët që e motivojnë. Pajaziti nuk e harron debutimin me moshat kuqezi dhe thekson se të luajë me fanellën e kombëtares është një emocion i madh për të.

 Adrion, si ka nisur për ju lidhja me futbollin? Kush është njeriu që ju ka shtyrë drejt këtij sporti?

 – Që i vogël, siç më tregojnë prindërit, kam qenë gjithmonë me topin në duar e këmbë duke luajtur nëpër shtëpi. Poshtë banesës kemi pasur një fushë të vogël, ku luanim të gjithë fëmijët e lagjes. Pasi mbaroja mësim në shkollë, lija çantën në shtëpi dhe luaja aty deri kur errësohej dhe më thërriste mami. Kam shtyrë veten drejt këtij sporti, por edhe familja që më kanë regjistruar në klub futbolli.

Çfarë ju shtyn që të rriteni edhe më shumë në këtë profesion?

 – E  kam shumë pasion, e kam në gjak futbollin. E kam dashur futbollin shumë, që i vogël. Nuk kam dëshirë të humbas, dua të fitoj gjithmonë, të luaj mirë, të shënoj gola. Kjo më shtyn mua në këtë profesion, të bëj veten krenar, familjen, shokët, të gjithë ata që më kanë parë sa kam sakrifikuar për futbollin.

Kush është personi që ju këshillon më së shumti në lidhje me futbollin dhe që ju qëndron më afër?

 – E gjithë familja më ka qëndruar pranë, babi, nëna, motra, që vinin më shikonin nëpër ndeshje. Kur babai punonte e unë isha i vogël atëherë, më çonte mami në ndeshje. Të gjithë më kanë qëndruar pranë, edhe motra. Pas ndeshjeve ata më këshillojnë dhe më tregojnë të vërtetën, a kam luajtur mirë dhe çfarë duhet të përmirësoj.

Si jeni ndjerë kur morët për herë të parë ftesën nga Shqipëria U21? Si jeni ndjerë kur keni shënuar golin e parë me fanellën kuqezi?

 – Jam ndjerë shumë shumë i kënaqur, shumë krenar, kur kam luajtur herën e parë me Shqipërinë U21. Luajtëm në shtator në Kroaci, ndaj Maqedonisë së Veriut dhe Kroacisë. Kam shënuar menjeherë gol. Ishte ndjenjë e bukur, krenari, shumë emocion. Më pëlqen shumë kur luaj me kombëtaren.

Çfarë mund të veçoni deri më tani nga jeta juaj futbollistike? Ka një arritje për të cilën jeni krenar?

 – Arritja për të cilën ndihem më së shumti krenar, deri tani, është momenti i debutimit me Fulham kur isha 18 vjec. Luajta 90 minuta dhe u paraqita mirë. Kam qenë te Fulham që në moshën 10-vjeçare, i kam kaluar krejt moshat aty. Familja ishte në stadium dhe kënaqësia ishte shumë e madhe të luaja para tyre.

Kush është lojtari shqiptar që ju motivon më së shumti, që e keni si shembull? Po lojtari i huaj?

 – Ka shumë lojtarë shqiptarë të mirë, ëshët rritur shumë cilësia. Do kemi të ardhme të mirë. Nga lojtarët shqiptarë që më motivojnë është Armando Broja. Kemi luajtur kundër njeri-tjetrit me ekipet U18, unë te Fulham dhe ai te Chelsea. Ai ka bërë gjëra të mira për klubin e tij dhe kombëtaren. Ndeshjen e fundit me kombëtaren debutoi edhe Anis Mehmeti, të cilin e njoh. Kemi qenë së bashku te Fulham, jemi rritur pranë në Londër, jemi shokë. Jam kënaqur shumë kur ka debutuar, me ka motivuar edhe mua. Nga të huajt, Messi për mua është më i miri në histori dhe më pëlqen shumë. Ai dhe Modric më pëlqejnë.

A ju krahasojnë me ndonjë futbollist të njohur dhe pse?

– Që i vogël më kanë krahasuar me Luka Modric. Nuk kam shumë qejf të flas për veten, por unë besoj se jam lojtar teknikisht i mirë, që provoj të marr topin sa më shumë, të kontrolloj ritmin e ndeshjes, të kombinoj me shokët e skuadrës. Jam i mirë në driblime dhe mundohem që cilësitë që kam t’i përdor në ndeshje për të shënuar dhe asistuar për ekipin tim.

Duke parë që ju luani jashtë dhe shumë elementë të tjerë të rinj luajnë në kampionate të rëndësishme europiane, a mendoni se Shqipëria ka një të ardhme të ndritur?

– Kombëtarja ka një të ardhme të mirë. Edhe kombëtarja A, edhe Shqipëria U21, kanë shumë lojtarë që luajnë në kampionate të rëndësishme europiane dhe të cilët kanë cilësi. Besoj se në këto kualifikuese do të bëjmë një punë të mirë, shpresoj ta çojmë Shqipërinë në kampionat europian.

Vetë ju personalisht, cilin keni synimin më të madh në futboll?

– Për mua, që kur kam qenë i vogël, ëndrra ka qenë të luaj në Champions League. Është kompeticioni më i mirë, e kam ndjekur gjithmonë. Champions League e ka një lloj magjie dhe ky është synimi im më i madh në futboll.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img