Presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi, nuk e fsheh zhgënjimin e humbjes 3-1 në ndeshjen e parë ndaj Linfildit, por në të njëjtën kohë, është i bindur se ekipi i tij mund të tjetërsohet në sfidën e kthimit në Shkodër, që do të luhet më 20 korrik. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, kreu i klubit kuqeblu tregon edhe disa arsye pse skuadra nuk bëri paraqitjen e pritshme në Irlandën e Veriut.
Xhaferi mendon se Vllaznia duhet të luftojë deri në fund, duke besuar te përmbysja dhe marrë si shembull atë që ndodhi më 15 korrik 2021, ku shkodranët bënë mrekullinë ndaj boshnjakëve të Shiroki Brijegut. Presidenti pret që me ndihmën e tifozëve shkodranë, si dhe një tjetër mënyrë loje të ekipit, të arrihet kualifikimi ndaj Linfildit.
Alban, ju zhgënjeu më tepër rezultati në Irlandën e Veriut apo loja që zhvilloi skuadra në atë humbje 3-1?
Po sigurisht që jemi të zhgënjyer nga rezultati, sepse mund të bënim më mirë. Si ndeshje e parë që ishte, kemi për të përmirësuar shumë. Mendoj se kishte disa gjëra që ndikuan në këtë humbje.
Çfarë ndikoi më konkretisht?
Duke filluar nga klima në Irlandën e Veriut dhe ndryshimi i temperaturës që ishte në Belfast, me disa gradë më e ulët në krahasim me vapën që na ka shoqëruar në Shqipëri këto ditë. Pas udhëtimit që bëmë, nuk u përshtatëm me klimën aty dhe kjo na bëri dëm për të pasur një performancë më të mirë. Gjithsesi, çdo gjë është e hapur për ndeshjen e kthimit dhe kjo nuk ka justifikim. Ekipi duhet të luftojë deri në sekondën e fundit me synimin për të kthyer rezultatin.
Ju besoni se humbja 3-1 është një rezultat që mund të përmbyset në Shkodër?
Patjetër që po. I kemi shanset dhe personalisht jam optimist se me një mobilizim më të madh, mund t’ia dalim. Duhet të luftojmë fort për të kaluar këtë tur, pasi edhe kundërshtari, pavarësisht cilësive që tregoi, nuk mendoj se është një skuadër e pathyeshme.