Vllaznia u “çmontua” dje në kryeqytet duke u mposhtur me rezultatin 4-1 nga Partizani. Një situatë e paprecedentë ka ndodhur dje në ambientet e stadiumit “Arena e Demave”, teksa humbja me të kuqtë nuk është përtypur nga stafi drejtues, por edhe lojtarët.
Burime të besueshme bëjnë me dije për Newsport.al që në përfundim të pjesës së parë, presidenti Alban Xhaferi ka zbritur në dhomat e zhveshjes duke kërkuar llogari te lojtarët. Duket se ambienti i trazuar u shfaq në pjesën e dytë, ku kuqeblutë ishin plotësisht të shpërqëndruar duke pësuar edhe një gol tjetër. Si të mos mjaftonte kjo, presidenti Xhaferi është larguar 20 minuta para përfundimit të takimit.
Ndërkaq pas vërshëllimes së fundit, lojtarët e Vllaznisë janë futur në dhomat e zhveshjes. Situata ka precipituar, teksa disa prej tyre janë konfliktuar me njëri-tjetrin. Një ngjarje e pazakontë që mesa duket ka shkaktuar “tërmet” në klubin shkodran dhe me gjasë nuk do të mungojnë masat nga ana e drejtuesve.
/Newsport.al/