Elbasani arriti një përmbysje spektakolare në transfertë ndaj Partizanit, duke triumfuar me rezultatin 1-3 në “Arenën e Demave”, në sfidën e kthimit të çerekfinales së Kupa e Shqipërisë dhe duke siguruar gjysmëfinalen.
Pas humbjes minimale 1-0 në ndeshjen e parë në shtëpi, elbasanasit udhëtuan drejt kryeqytetit me objektivin e qartë për të përmbysur gjithçka. Verdheblutë treguan personalitet dhe vendosmëri që në minutat e para, duke ushtruar presion dhe duke kërkuar golin që do t’i fuste sërish në garë për kualifikimin. Avantazhi erdhi në minutën e 25-të, kur Xhonatan Lajthia përfitoi nga një moment i mirë në zonë dhe dërgoi topin në rrjetë, duke barazuar llogaritë e përgjithshme. Goli i dha zemër miqve, por reagimi i Partizanit ishte i menjëhershëm. Në minutën e 39-të, Contreras riktheu baraspeshën në takim, duke ndezur sërish shpresat e vendasve. Pjesa e parë u mbyll në barazim 1-1, ndërsa gjithçka mbetej e hapur për 45 minutat e dyta.
Me nisjen e fraksionit të dytë, Elbasani hyri në fushë me të njëjtin intensitet dhe dëshirë. Sërish protagonist u bë Lajthia, i cili realizoi golin e dytë personal dhe të avantazhit për ekipin e tij, duke çuar shifrat në 1-2 dhe duke rikthyer avantazhin në total. Minutat në vijim u karakterizuan nga tensioni dhe përpjekjet e Partizanit për të shmangur eliminimin. Vendasit shtuan presionin në kërkim të golit që do ta çonte sfidën drejt penalltive, ndërsa Elbasani u mbrojt me kujdes dhe kërkoi të godiste me kundërsulm.
Kur gjithçka dukej se do të vendosej nga pika e bardhë, ishte pikërisht një penallti në favor të miqve që ndryshoi fatin e përballjes. Nga 11-metërshi u paraqit i qetë Ze Gomes, i cili nuk gaboi dhe vulosi rezultatin 1-3, duke “fikur” përfundimisht shpresat e Partizanit.
Me këtë fitore në transfertë, Elbasani përmbys disavantazhin e ndeshjes së parë dhe siguron me meritë një vend në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë, duke konfirmuar ambiciet për të shkuar deri në fund të këtij kompeticioni.



