Enea Jorgji shkëlqen në derbin e kryeqytetit grek, Aek dhe Panathinaikos. Gjyqtari shqiptar, mori vlerësime maksimale për vendimet e tij, ku në fund fitues doli Panathinaikos, 1-3

Aek dhe Panathinaikos u përballën mbrëmjen e djeshme për të luajtur sfidën e vlefshme për Superligën greke. Derbi i kryeqytetit ishte mjaft i luftuar dhe përfundoi 1-2 në favor të Panathinaikos.

Një duel që shkoi mjaft mirë edhe për arbitrin kryesor të kësaj sfide, Enea Jorgjin. Gjyqtari shqiptar, ishte emëruar si arbitër kryesor i këtij dueli, ndërsa ndihmësit e tij ishin Ridiger Çokaj dhe Denis Rexha.

Enea Jorgji ishte mjaft i saktë dhe nuk pati polemika për vendimet e tij, përveç se një penalltie të cilën e akordoi në favor të Panathinaikos, ku nuk munguan protestat nga ana e lojtarëve të Aek. Arbitri 40-vjeçar e nxori kartonin e verdhë 8 herë nga xhepi, 5 herë për Aek dhe 3 herë ndëshkoi lojtarët e Panathinaikos.

Gjithashtu Enea Jorgji akordoi në total edhe 33 faulla, një numër i madh, por jo për shkak të tij. Ndeshja ishte mjaft agresive, duke detyruar që Jorgji ta ndalte lojën shumë herë për ndërhyrje të gabuara.

Një provë e kaluar me sukses kjo për gjyqtarin nga Elbasani, që vazhdon të bëjë shumë mirë në arenën ndërkombëtare.

Fatos LAMAJ

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu