Monday, November 25, 2024

Esi Lufo, futbollistja e Vllaznisë dhe Kombëtares, që e krahasojnë me Zllatan Ibrahimoviç

Lexo

Quhet Esi Lufo dhe i bëhet zemra mal kur e krahasojnë me Zlatan Ibrahimovic. Për një femër të luajë futboll në vendin tonë nuk është e lehtë, por ato që e kanë karakterin e fortë mund t’ia dalin. Njëjtë si Esi, e cila ka pasur edhe njerëz të afër të saj që nuk është se e pëlqenin zgjedhjen e saj për të luajtur futboll e më pas për t’u bërë profesioniste. Sot me siguri ndjehen krenare për 20-vjeçaren, kampione e Shqipërisë me Vllazninë dhe pjesë e kombëtares së Shqipërisë.

Praktikisht maja në futbollin e femrave në vendin tonë. Por si nisi gjithçka për Esin? Vështirësitë e hasura, kush e ka mbështetur dhe një mesazh i madh për të gjitha vajzat, të gjitha në një intervistë të saj për “fshf.org”. Sulmuesja rrëfehet hapur dhe me siguri shumë vajza të tjera do gjejnë motivim e guxim për të ndjekur ëndrrën e tyre, qoftë edhe futbollin e konsideruar një sport meshkujsh.

Çfarë ju ka shtyrë të përfshiheshit në botën e futbollit? Sa vjeçe ishit kur ia nisët të luanit?

Për herë të parë e kam gjuajtur topin kur kam qenë 5 vjeçe. Prej atij momenti nuk jam ndarë kurrë prej ëndrrës për t’u bërë futbolliste. Kur kam nisur të luaj futboll nuk e kam menduar se ëndrra ime do të bëhej realitet dhe vetëm pasioni më ka mbajtur në këtë loje, derisa u rrita dhe e kuptova që kjo ishte me të vërtetë ajo që unë doja.

Na tregoni pak për hapat e tua në karrierë, ku e nisët dhe si vazhdoi gjithçka?

Hapat e mia të para nisen tek ekipi i Kinostudios, ku luajta për 3 vite të plota. Ky ishte ekipi im i parë ku unë arrita të ambientohesha në kampionat dhe të zhvillohesha në pozicionin e sulmueses. Gjatë këtij rrugëtimi kisha shumë kohë që kërkoja diçka më të mirë për të ardhmen time. Sigurisht në sy më kishte rënë ekipi kampion i vendit, Vllaznia. Pas vendosmërisë time dhe dëshirës së madhe arrita që të komunikoja me presidentin e klubit, Lazer Matija, i cili më mirëpriti dhe më mbështeti shumë. Mund të them me plot gojën që këtu nisi edhe karriera ime e vërtetë. Gjithçka rrodhi shumë shpejt dhe e gjeta veten te ndeshjet e mia të para në Champions League, një aktivitet shumë i rëndësishëm për klubet kampione.

Isha vetëm 17 vjeçe dhe një eksperiencë e tillë më bëri që të përjetoja emocione të mëdha dhe të rritesha nga ana profesionale. Kualifikimet e njëpasnjëshme erdhën falë punës dhe përkushtimit që nuk mungonin aspak në klub. Pas kësaj me radhë erdhën edhe titujt kampion, ku unë numëroj tre të tillë. Janë me të vërtetë emocione që nuk mund të përshkruhen me fjalë. Unë jam shumë krenare dhe falënderuese që jam pjesë e një familje të tillë. Sigurisht nuk mund të lë pa falënderuar shoqet e ekipit, që më janë gjendur pranë në çdo situatë, stafin dhe presidencën për mbështetjen e vazhdueshme dhe besimin tek unë. Ata janë me të vërtetë një pjesë shumë e rëndësishme tek unë.

Për femrat nuk është e lehtë të merren me futboll, po për ju si ka qenë? Kush ju ka mbështetur më shumë?

Është e vërtetë që për femrat që luajnë futboll apo që e kanë pasion nuk është aspak e lehtë, për shkak të mentalitetit dhe paragjykimeve. Për mua personalisht futbolli ka nisur si një pasion si te gjithë fëmijët e tjerë, duke luajtur nëpër rrugicat e lagjes. Nuk ka qenë aspak e lehtë ideja dhe pranimi i këtij sporti nga ana e shoqërisë. Edhe pak nga ana e familjes, pasi disa pjesëtarë të familjes nuk kanë qenë plotësisht dakord. Gjithsesi, me babin në krah – njeriu i cili më ka mbështetur në çdo hap që unë kam hedhur në botën e sportit, duke qenë se dhe ai vetë ka qenë sportist – për mua çdo gjë u bë më e lehtë. E dija se edhe nëse do të vonohesha duke luajtur apo do të lëndohesha, ai do të ishte aty duke më mbrojtur dhe mbështetur. Fjalët dhe këshillat e tij më kanë qëndruar pranë në çdo moment të vështirë timin, në karrierën për t’u bërë futbolliste e suksesshme. Ndërsa për mamanë time mund të them se sot është një ndër mbështetëset e mia kryesore dhe fansja ime më e madhe.

Keni ndonjë idhull, futbollist apo futbolliste që ju motivon?

Në fakt idhulli im ka ardhur edhe si pasojë e krahasimeve që më janë bërë përgjatë rrugëtimit tim. Zlatan Ibrahimovic është futbollisti im i preferuar. Atij i kam ndjekur çdo ndeshje, edhe pothuajse çdo gol që ka shënuar në karrierë. Shpesh herë ndodh që të më thonë “je si Ibra” ose “sa e gjatë, tamam si Ibra”. Këto fjalë më bëjnë të ndjehem mirë sepse me vete mendoj që “po, ai është idhulli im dhe të më krahasojnë me të për mua do të thotë vërtetë shumë”. Ai si lojtar ka arritur shumë në botën e futbollit, por akoma dhe më shumë edhe jashtë saj, me bamirësi të mëdha dhe përkushtim ndaj njerëzve të varfër. Zlatan ka qenë dhe do të mbetet një ndër idhujt e mi më të mëdhenj.

Sa ka ndikuar futbolli te ju, në çdo aspekt të jetës? Ju kanë parë ndryshe apo diçka tjetër? Futbolli tek unë zë një vend me të vërtetë të rëndësishëm dhe mund të them se ma ka ndryshuar jetën plotësisht. Ka ndikuar në një mënyrë shumë pozitive dhe më ka rritur për të qenë një njeri më i mirë, si dhe me këmbë në tokë. Më ka ndihmuar që të zhvillohem në mënyrë të drejtë dhe me ide të qarta se çfarë dua të arrij. Më ka mësuar se jo të gjithë kanë mundësi të zhvillojnë dhe të bëjnë atë që duan më shumë. Më ka dhënë edhe një mesazh shumë të fortë, që nuk duhet të dorëzohesh, pavarësisht vështirësive apo pengesave të paragjykimeve në vend. Normal që ka pasur nga ata njerëz që më kanë parë ndryshe dhe më kanë paragjykuar për llojin e sportit, por duke qenë se e kam dashur shumë punën që bëj dhe profesionin që dua, i kam hedhur pas krahëve dhe kam vazhduar rrugëtimin tim me kokën lart dhe duke u përqendruar në objektivat e mia.

Kohët e fundit futbolli i femrave po merr mbështetje nga FIFA, UEFA dhe federatat. Si e shikoni këtë?

Padyshim që është një lajm shumë i mirë sa herë që dëgjon që ka një mbështetje apo vendim në lidhje me futbollin e femrave. Për ne përkushtimi nga FIFA, UEFA dhe federatat do të thotë shumë, pasi edhe ne na motivon për të dhënë më shumë nga vetja, në mënyrë që të meritojmë më shumë. Është një shtysë me të vërtetë e madhe, që kërkon edhe përkushtimin tonë maksimal për ta çuar futbollin e femrave drejt suksesit, edhe për t’i bërë të gjithë që të besojnë në sportet për femra. Nëse mbështetja vazhdon në mënyrë të vazhdueshme, besoj që të gjitha palët do jenë të kënaqura dhe do të vazhdojë një bashkëpunim dhe një rritje e suksesshme për futbollin e femrave në të gjithë vendin.

Ju jeni pjesë e kombëtares shqiptare. Çfarë domethënie ka për ju? Çfarë emocionesh ju jep të luani për Shqipërinë?

Kombëtarja është emocion që nuk mund ta përshkruash me fjale, pasi është emocioni me i veçantë që një futbolliste mund të provoje ndonjëherë. Për mua ka një domethënie shumë të veçantë dhe çdo thirrje për të përfaqësuar ngjyrat kuq e zi është sikur hera e parë. Të luash për vendin tënd domethënë të japësh më shumë nga vetja, të luash me gjithë shpirt dhe në fund të thuash ia dola për vendin tim. Nuk është e lehtë të përfaqësosh atë fanellë që ka aq shumë peshë, por duke qenë se i gjithë ekipi vjen për të njëjtin qëllim çdo gjë bëhet më e lehtë. Padyshim që edhe pjesa e stafit dhe trajneri na ndihmon të përshtatemi dhe të menaxhojmë emocionet për ndeshjet  e rëndësishme. Kombëtarja të jep një emocion tamam si një familje e madhe, ku të gjithë luftojnë për të njëjtin qëllim. Do jem çdo herë e gatshme dhe krenare për të përfaqësuar vendin tim.

Herën e parë te Shqipëria si e mbani mend?

Herën time të parë me Shqipërinë e mbaj mend sikur të kishte ndodhur dje. Kur e kam marrë ftesën kam menduar që, po, tani e realizova ëndrrën time më të madhe, të jem pjesë e këtij ekipi. I kam premtuar vetes që do të jap gjithçka për ta ngritur emrin e vendit tim sa më lart.

Çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje atëherë?

Përshtypjet kanë qenë nga më të mirat, pasi gocat që kishin më shumë vjet në ekip nuk kanë ngurruar të na japin motivim dhe mbështetje për t’u përshtatur me grupin sa më shpejt. Mund të veçoj lojtaret e Vllaznisë, që janë edhe baza e kësaj kombëtareje, sigurisht edhe kapitenen Albina Rrahmani, e cila na është gjendur pranë në çdo situatë.

Çili është mesazhi u jep vajzave që u thuhet se futbolli është vetëm për djem?

Mesazhi që duhet t’i përcillet çdo vajze që ka ëndërr sportin dhe veçanërisht futbollin duhet të jetë shumë i fortë. Si lojtare dhe një vajzë që e bën me pasion profesionin e saj, u them që nuk duhet të ndalen kurrë nga paragjykimet dhe fjalët e njerëzve. Të bësh atë që do nuk është turp. Realizojeni ëndrrën tuaj sa jeni në kohë dhe mos u trembni nga asnjë pengesë që mund t’ju dalë në rrugën tuaj drejt së ardhmes.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img