Një ditë pas eliminimit nga Euro 2024 për Italinë ishte kohë bilancesh. Për këtë motiv presidenti i Federatës Italiane të Futbollit (FIGC), Gabriele Gravina u prezantua sot përpara gazetarëve ku edhe konfirmoi në stolin e kombëtares Luçano Spaletin.
“Nuk kemi asgjë për të fshehur, por duhet të marrim përgjegjësitë për atë që ndodhi. Duhet të bëjmë diçka të tillë. Pas ndeshjes zhvilluam një bisedë të gjatë me trajnerin. Mendoj se është e paimagjinueshme të zgjidhen problemet duke braktisur një projekt shumëvjeçar.
Nuk mund të braktisim këtë që kemi nisur vetëm para 8 apo 9 muajsh. Dhe nuk duhet të harrojmë se Spalletti ka drejtuar kombëtaren në vetëm 10 ndeshje. Gjithashtu nuk duhet të harrojmë se kjo kohë nuk është e mjaftueshme. Spaleti nuk e ka patur grupin gjithmonë të plotë. Unë ju them me bindje se ky është një eliminim që dhemb. Por duhet të jetë një reflektim për të ardhmen. Dhe besimi ynë është i plotë me shpresën se gjithçka do të funksionojë. Tashmë duhet të mendojmë për të ardhmen, sepse pas 60 ditësh do të kemi sfida të reja”, tha ndër të tjera kreu i futbollit italian.
Ndërsa tekniku përfitoi nga rasti për të theksuar se nuk mendonte largimin. “Unë jam përgjegjësi i kësaj situate. Kam gabuar dhe e pranoj. Dje kemi bërë një hap pas të pafalshëm. Unë e di se çfarë na duhet që të bëjmë që të rikthehehmi. Do të mundohem të ndërtoj edhe një herë gjithçka nga e pra me energji të reja”, premtoi Spaleti.