Kurbinasit kanë humbur 3-0 përballë skuadrës belge, takimi i parë i raundit të tretë të Ligës së Konferencës, ndeshje kjo e luajtur mbrënmjen e sotme në stadiumin “Elbasan Arena”. Laçjanët e drejtuar nga trajneri Shpëtim Duro nuk munden të bëjnë më shumë, përballë një emri të madh si Anderlehti. Megjithatë, duhet thënë se ishin gabimet flagrante të mbrojtjes laçjane që i dhanë mundësi skuadrës belge të shënonte dy herë në pjesën e parë. Dy gola identikë me kokë thuajse në të njëjtin pozicion, krejt të mundshëm për t’u evituar, që ndëshkojnë brenda pak minutash Laçin.
Referuar ecurisë së ndeshjes, në fakt duhet thënë se kurbinasit e nisën mirë sfidën, duke ushtruar presion ndaj kundërshtarit, por që nuk ka zgjatur për shumë minuta. Menjëherë belgët kanë treguar potencialin e tyre, duke fituar dy goditje këndi brenda pesë minutave, por Sherri ka kontrolluar gjithçka, duke i dhënë mundësinë skuadrës të dalë nga zona. Gjithsesi, rezistenca e kurbinasve nuk do të zgjasë shumë dhe pikërisht në minutën e 26-të do të marrin goditjen e parë. Një goditje këndi është devijuar nga Delcroix, duke përfunduar në rrjetë. E pavëmendshme mbrojtja kurbinase, as vetë autori i golit nuk e besonte se kishte shënuar.
Me fat skuadra e Laçit në minutën e 30-të teksa Versharen ka goditur në mënyrë të gabuar vetëm pak metra larg portës së mbrojtur nga Sherri. Pesë minuta më vonë është Lushkja që jep imazhin e një goli që do të kishte sjellë barazimin, gjuajtja e tij përfundoi ngjitur me traversën. Kur pjesa e parë po shkonte drejt fundit, belgët arrijnë të dyfishojnë rezultatin. Një goditje këndi është shfrytëzuar nga Hoedt, i cili nuk ka falur me kokë, 2-0 që ka mbyllur dhe pjesën e parë.
Kur pritej reagimi i laçjanëve, një gol tjetër i pësuar në portën e shkodrani Alen Sherri bën që rezultati të thellohet në 0 me 3 për skuadrën mike Anderleht që kontrollon gjithçka në fushën e lojës. Është minuta e 60-të e takimit që regjistron golin e tretë për belgët. Një gjuajtje nga distance e Refaelo ka shtangur portierin Sherri dhe tabela elektronike ka shënuar 3-0, që është dhe rezultati përfundimtarë i kësaj sfide.
Kaq mjafton që Laçi të dorëzohet, duke mos patur mundësi të shënonte të paktën një gol, që mund t’i linte një rreze shprese sado të vogël për ndeshjen e kthimit. Anderleht fiton 3-0 në ndeshjen e parë të turit të tretë në Ligën e Konferencës dhe hedh një hap shumë pozitiv drejt kualifikimit.