Shqipëria u mund nga Spanja me shifrat 1-0 në ndeshjen e tretë të Grupit B duke mbyllur kështu aventurën në Gjermani. Pas kësaj sfide, Armando Broja foli për gazetarër dhe nuk fshehu zhgënjimin për minutat e pakëta në dispozicion.
“Ndoshta e luan një herë në jetë, të gjithë duan të luajnë çdo minutë. Kisha pasur qejf të luaja më shumë, por unë jam lojtar dhe vendimet i merr trajneri dhe unë e respektoj. Unë me sa minuta që më jep ai jap maksimumin, ndoshta në ndeshjen e parë mund të bëja më mira, por ishte e vështirë. Edhe ndeshjen e dytë kisha dëshirë të luaja, apo edhe të startoja, por është trajneri ai që vendos”, tha Broja.
Mes të tjerash ai përshkroi edhe rrugëtimin e Shqipërisë në këtë trune. “Të treja ndeshjet i dinim që do të ishin të vështira, janë skuadra të nivelit të lartë. Por, në ndeshje nuk është se na shkatërruan apo mbytën, të mbajmë kokën lart për atë që arritëm. Le të jemi krenarë”, pohoi sulmuesi i Çelsit.