Shqipëria U-17 do të luajë sot ndeshjen e dytë të grupit 3 të raundit të parë të kualifikueseve të Kampionatit Europian U-17 ndaj Holandës. Në stadiumin “Air Albania” në orën 15:00,kuqezinjtë do të përballen me rivalët më të fortë të grupit,megjithatë djemtë janë gati për të dhuruar një tjetër performancë të mirë pas ndeshjes me Kroacinë.
Kombëtarja U-17 ka mbyllur përgatitjet në Durrës,të gjithë futbollistët gëzojnë formë të mirë fizike dhe do të jenë në dispozicion të trajnerit Andrea Tedesko për sfidën ndaj Holandës.
Po sot, në orën 11:00 do të luhet ndeshja tjetër e grupit 3,mes Kroacisë dhe Ishujve Faroe. Dy skuadrat do të përballen me njëra-tjetrën në “Shtëpinë e Futbollit”.
Hyrja në stadiumin “Air Albania” për ndeshjen Shqipëri U17-Holandë U17 do të jetë falas. Federata e Futbollit i fton të gjithë tifozët në stadium për të mbështetur kuqezinjtë në ndeshjen ndaj Holandës.
Fatos LAMAJ