Europiani U19 në RTSH, luhen takimet e dyta në grupin A, të mërkurën të dytat e grupit B
Pasi ka mbyllur ndeshjet e para, Kampionati Evropian i Futbollit për Nën-19-vjeçarët ka nisur të martën takimet e dyta të fazës së grupeve. Kjo veprimtari kontinentale e kësaj grupmoshe, që po e zhvillon fazën finale të tij në Sllovaki dhe që po sillet për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, ka luajtur të martën ndeshjen e dyta të grupit A dhe në takimin që erdhi drejtpërdrejt në RTSH Sport, Franca ka mundur Rumaninë, me shifrat 2-1. Në fakt, fati i këtij takimi është vulosur brenda 20 minutave të para, teksa francezët e kanë gjetur rrugën e rrjetës që në të 12-ën, me anë të Tshaunas. Vetëm 8 minuta më pas, Franca gjen edhe golin e dytë, me anë të Adelinit. Me francezët në epërsi të dyfishtë dhe në epërsi edhe në lojë do të mbyllen 45 minutat e para, sikundër do të vijojnë edhe ato të dytat. Por rumunët i mbijetojnë trysnisë dhe 8 minuta gjejnë edhe një gol ngushëllimi, me autor Kubisin.
Ndonëse rumunët do të gjejnë më pas edhe një tjetër gol, por që do të anulohet për pozicion jashtëloje dhe 5 minutave shtesë, ku ballkanasit kanë rrezikuar seriozisht portën kundërshtare, Franca e mbron fitoren që e mban në krye të renditjes me pikë të plota pas dy ndeshjesh, 6, po aq sa ka edhe Italia, e cila mundi minimalisht më herët Sllovakinë me një gol të vetëm. Kështu, francezët dhe italianët janë kualifikuar që tani në gjysmëfinale dhe takimi i fundit midis tyre vlen vetëm për kreun e renditjes. Ndërkaq, RTSH Sport do të sjellë të mërkurën edhe takimet e dyta në grupin B, duke nisur nga ora 17:30 me duelin Izrael-Austri dhe duke vijuar në ora 20:00 me sfidën tjetër, Angli-Serbi.