Rrjeti prestigjioz sportiv “Eurosport” veçon aventurën e nordikëve në fazën e grupeve
E kanë bërë më herët në histori, thuajse 30 vjet më parë, kur u thirrën nga plazhi për të zëvendësuar ish-Jugosllavinë në Europianin e 1992-shit, dhe vijuan të shtangnin botën, duke u kurorëzuar kampionë të kontinentit. Por të hënën, danezët e bënë botën të bjerë sërish në dashuri me futbollin.
Kështu e cilëson rrjeti prestigjioz sportiv “Eurosport” atë që Danimarka arriti në ndeshjen e fundit të grupit, kur mposhti Rusinë me rezultatin e thellë, 4-1, duke merr edhe vendin e dytë në grup, duke lënë prapa Finlandën, që pret të mësojë fatin sa i përket turit të 16-shes dhe Rusinë, që eliminohet, ndonëse të 3 skuadrat kishin nga 3 pikë.
Në fakt, sipas rrjetit në fjalë, kjo përmbysje kurorëzoi një rrugëtim të pabesueshëm të nordikëve, të cilit, fillimisht sfiduan vdekjen, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, teksa në 40 minutat e para të këtij Europiani rrezikuan të humbnin një nga lojtarët e tyre më të spikatur.
Kristian Eriksen humbi ndjenjat dhe ishte pa puls për pak minuta, por, për fatin e tij të mirë, por edhe për meritë të shokëve të skuadrës dhe mjekëve, u rikthye në jetë, teksa skuadra e tij u rikthye, përkundër të gjitha gjasave, ta përfundonte atë ndeshje, edhe pse u mund 0-1 nga Finlanda.
Por danezët e kapërcyen tronditjen e Eriksenit, por edhe humbjen, duke dhuruar një nga përballjet më të bukura, të paktën deri më tani, edhe pse u mund me përmbysje përballë Belgjikës. Dhe Danimarka shpalosi karakterin e saj në duelin e fundit dhe vendimtar, atë kundër Rusisë, duke vijuar të luajë një futboll sulmues dhe duke e shpartalluar kundërshtarin, me plot 4 gola.
Për të gjitha këto, thekson “Eurosport”-i, Danimarka na ka bërë të biem sërish në dashuri me lojën më të bukur në botë, që, për më tepër, po shërben si lajtmotiv i botës për të sfiduar epideminë botërore të “Covid-19” dhe për t’iu rikthyer jetës normale.