Kategoria e parë e futbollit shqiptar nis sot me ndeshjet e javës së parë. Një kategori që si asnjëherë tjetër është e mbushur me emra potent të futbollit shqiptar, ku krahas atyre të një viti më parë, këtë sezon i janë bashkuar edhe Dinamo me Skënderbeun.
Pikërisht, ky i fundit, Skënderbeu i Korçës, fitues i tetë titujve Kampionë, një Kupë, tre Superkupa, si dhe me një pjesëmarrje shumë të suksesshme në Kupat Europës, është mysafir sot në qytetin e Pukës.
Në orën 15:00, në stadiumin “Ismail Xhemali” të Pukës, luhet ndeshja, Tërbuni-Skënderbeu. Jo vetem si e para ndeshje e kampionatit të ri, por edhe për vetë emrin potent të Skënderbeut, pragsfida në fjalë po pritet me shumë interes në qytetin verior duke e shndërruar në festë fundjavën për tifozërinë vendase dhe mbarë komunitetin e këtij qyteti sportdashës.
Në dy kampet përkatëse, ka ditë të tëra që përgatiten për nisjen e kampionatit, ku natyrisht korçarët e drejtuar nga trajneri Migen Memëlli të ardhur nga Superiorja kanë objektivin e rikthimit të menjëhershëm prej andej nga erdhen. Por, në të njëtën kohë edhe pukjanët që këtë sezon futbollistik drejtohen nga trajneri Alert Alcani, ashtu si edhe vitet e mëparshme, kanë të njëjtin objektiv për të shkuar në Superiore.
Një ditë përpara ndeshjes, ka qënë kryebashkiaku pukjan Gjon Gjonaj, njëkohësisht edhe president i KF Tërbuni, që ka takuar skuadrën, ku duke i premtuar mbështetjen e duhur i ka uruar suksese në sfidën me Skënderbeun, dhe në tërësi gjatë të gjithë sezonit.
Nga sa bëhet e ditur, trajneri Alcani ka përcaktuar edhe emrat e futbollistëve që do ta nisin nga minuta e parë sfidën e sotme ndaj korçarëve. Në portë do të jetë Vata, Peqini, shkodrani Ruçi, Metani, Hoxha dhe Hoxha, janë në repartin e prapavijës. Ish futbollisti i Vllaznisë, veterani Alsid Tafili së bashku me Bahollin, Salijen dhe Hysën janë në mesfushë, ndërkohë që në vijën e parë të sulmit do të aktivizohen Xhebrahimimi dhe Filipi.
Nga ana tjetër, trajneri i korçarëve Migen Memëlli, pritet të hedhë në fushë nga minuta e parë, këto futbollistë: Ruçi, Frashëri, Rapa, Prençi, Zguro, Randi, Ali, Liço, Lia, Abubakar, Pusi.
Takimet e tjera të javës së parë në Kategorinë e Parë, janë këto: Flamurtari-Luzi, Korabi-Apolonia, Turbina-Besëlidhja, Besa-Tomori. Ndeshja, Lushnja-Burreli, për arsye të punimeve që po kryehen në stadiumin e Lushnjes nuk do të zhvillohet sot duke u shtyrë për një datë tjetër.