Vllaznia- Vorskla Kharkiv 2-1
(Shënuese: Paterson 35′, Berisha 88′ / Korsun 85′)
Me barazimin 1-1 në ndeshjen e parë dhe fitore në të dytën 2-1 përballë Vorskla Krarkiv të Ukrainës, Vllaznia në futboll për femra është kualifikuar në grupet e Ligës së Kampioneve të Europës.
Kishte ditë tëra që paralajmërohej një sukses i tillë dhe pasditja e sotme e 28 shtatorit 2022 regjistron suksesin e shumëpritur të futbollit shqiptar. Atë e arrin Vllaznia e Shkodrës, e drejtuar nga trajneri Nikolin Leka dhe kolegu i tij Fabiol Rexhepi, nën mbështetjen e presidentit Lazër Matija.
Një mbrëmje për t’u mbajtur mend ku mbi 2500 tifozë të pranishëm në shkallët e stadiumit “Loto Boriçi” përjetuan emocione pa fund. Por, jo vetëm tifozët, sepse emocionet ishin të pranishme edhe në tribunën VIP, aty ku mes autoriteteve vndore ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Ukrainës në Tiranë, Volodymyr Shukrov, i cili kishte ardhur për të mbështetur vajzat kampione të Ukrainës në këtë sfidë të rëndësishme ndërkombëtare.
Një ndeshje, e cila ashtu si edhe e para një javë më parë, filloi më mirë për ukrainaset e Vorskla Krarkiv, të cilat shfaqen më tepër me veprime sulmuese, madje edhe me dy raste të pastra shënimi, që në rast se do të shkonin në rrjetë, loja mund ta merrte drejtim tjetër.
Por, kjo nuk zgjati shumë, sepse shumë shpejt futbollistet kuqeblu të drejtuara nga trajneri Nikolin Leka, marrin situatën në dorë dhe me sulmuesen potente Megi Doçi, e mbështetur edhe nga koleget e saj, ushtrojnë presion në portën kundërshtare në kërkim të golit të avantazhit. Gol, i cili vjen në minutën e 35-të me autore amerikanen Patterson.
Në vijim, Vllaznia vazhdon të luajë mirë dhe mundësitë janë për një gol të dytë qetësie, por gjithësesi pjesa e parë mbyllet me avantazhin 1-0 për skuadrën kuqeblu.
Pas pushimit të pjsës së parë në dhomat e zhveshjes, 45 minutëshi i dytë prezanton një garë shumë të dyluftuar. Vllaznia, vazhdon të ngulmojë për golin e dytë, dhe në të njëjtën kohë mikeshat nga Ukraina kanë shtuar intensifikimin e tyre për të barazuar rezultatin.
Në një prej aksione të krahut të djathtë të sulmit ukrainas, një top që adresohet për në zonën kuqeblu gjen një dorë pasive të futbollistes shkodrane, që për arbitren nga Republika Çeke, Veronika Kovarova është penallti.
Portjerja amerikane Williams bën mrekullinë teksa e grushton topin që prek shtyëllën dhe shkon në korne. Por, ndërsa futbollistet kuqeblu i gëzohen pritjes së penalltisë, vazhdimi i aksionit, me krosin e dhënë nga goditja këndore gjen të papërgatitur mbrojtjen e Vllaznisë duke i dhënë mundësi Korsun të shënojë dhe të barazojë rezultatin në minutën e 85-të.
Atëhere kur ndeshja mendohet se do të shkonte në shtesë, Vllaznia bën mrekullinë duke gjetur golin e dytë dy minuta nga mbyllja e kohës së rregullt me një super gol të Gresa Berishës.
Stadiumi “Loro Boriçi” shpërthen në ovacione. Vllaznia përsëri në kryesim të rezultatit, tashmë 2-1, dhe për të mbërritur tek historia, duhen edhe katër minuta, dy të kohës së rregullt dhe dy të tjera shtesë, të cilat kuqeblutë i adminitrojnë në mënyrën më të mirë deri sa vjen vërshëllima përfundimtare e çekes Veronika Kovarova duke mbyllur të gjithë ndeshjen me rezultatin 2-1.
“Loro Boriçi” në festë, e gjithë Shkodra, dhe së bashku me të edhe Shqipëria e më gjërë, festojnë kualifikimin e Vllaznisë në 16-të ekipet më të mira europiane. Arritja më e madhe deri më sot e futbollit shqiptar që nuk e kishte arritur asnjë skuadër shqiptare.
Urime Vllaznia, krenaria e futbollit shkodran dhe atij shqiptar! Suksese në betejen e grupeve, mes 16-të më të mirave të Europës!
Gaspër MARKU-Shkodër, më 28 shtator 2022