Tuzianët, janë përfshirë në një festë massive, pasi skuadra e qytetit të tyre të vogel FK Deçiç ka fituar Kupën e Malit të Zi. Një gjë e tillë është arritur mbrëmjen e së enjtes së 29 majit 2025, kur tuzianët, falë golit të shënuar nga Asmir Kajeviç, munden në finale ekipin e Mornarit me rezultatin 1 me 0. Një fitore kjo e merituar dhe shumë emocionuese e arritur përmes një dueli plot rivalitet, por edhe tension në fushën e lojës, që përveç prestigjit, i garanton edhe një vend në arenën evropiane për sezonin e ardhshëm. Sukses ky që vjen si një shpërblim për punën e palodhur të klubit dhe mbështetjen e pandërprerë të tifozëve shqiptarë në Mal të Zi, që tashmë kanë arsye të krenohen me ekipin e tyre dhe të ëndërrojnë më shumë në të ardhmen.
Urimi i kryetarit të Komunës së Tuzit z. Lindon Gjelaj!
Menjëherë pas suksesit të arritur nuk ka vonuar edhe urimi nga ana e kryetarit të Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj
,,Në emër të Komunës së Tuzit dhe qytetarëve tanë, i shpreh urimet më të përzemërta klubit tonë të zemrës, KF Deçiq, për fitoren historike të Kupës së Malit të Zi, për herë të parë në historinë e klubit!
Kjo arritje është fryt i përkushtimit, punës së palodhshme dhe pasionit të treguar nga lojtarët, stafi teknik dhe të gjithë ata që qëndrojnë pas suksesit të Deçiqit. Keni bërë krenar çdo qytetar të Malësisë dhe më gjerë, duke shkruar një faqe të re të lavdishme në historinë tonë sportive.
Urime dhe suksese të mëtejshme në rrugëtimin tuaj drejt majave të reja!