Skuadra e tij ka fituar me përmbysje, 3-2 ndaj Kukësit të enjten në mbrëmje, por presidenti i Tiranës, Refik Halili nuk i ka kursyer kritikat në drejtim të lojtarëve të tij. Sipas tij, ata janë të mbivlerësuar dhe duhet të reflektojnë.
“Prisja që skuadra të bënte diçka më mirë se sa bëri. Për ne sot më e rëndësishme ishte fitorja, tri pikët. Kisha besim se skuadra do e merte fitoren sot, por mënyra se si luajtëm na vuri në vështirësi shumë të madhe”, ka deklaruar presidenti i bardhebluve.
Duke reflektuar mbi paraqitjen e skuadrës, presidenti Halili nuk i ka kursyer kritikat për lojtarët.
“Shpresoj që skuadra nga dita në ditë të bëjë ndryshimin dhe duhet ta bëjë, sepse janë një kontigjent shumë i mirë lojtarësh me emra. Secili e di vetë se çfarë emri ka dhe për emrin që ka duhet të japë më shumë se sa i takon, sepse mendoj që janë futbollistët më të vlerësuar nga ana financiare në kampionatin shqiptar. Kjo është e padiskutueshëm sepse ne e dimë shumë mirë se çfarë financash paguhen”.
Për këtë arsye edhe apeli i tij është i qartë dhe i thjeshtë.
“Unë ua kam thënë dhe ua them përsëri: futbollistët janë të mbivlerësuar. Përsa i përket lojës për të na kënaqur neve, për të marrë rezultate pozitive, janë shumë larg asaj që prisnim në fillim të kampionatit dhe vazhdojmë të presim”.