Erzeni mundi pasditen e sotme Egnatian me rezultatin 2 me 1, në një ndeshje shumë të dyluftuar, për të cilën trajneri shijakas Xhehahir Kapllani është mjaft i kënaqur që ia arriti qëllimit të marrë tre pikë shumë të rëndësishme për fatin e vazhdimësisë së skuadrës në kampionat.
Duke folur pas ndeshjes për Overt Sport, tekniku Kapllani, shprehet: “Mendoj se e filluam lojën aty ku e lamë para disa ditësh në Ballsh, ishte provë karakteri te sfida e Ballshit. U thashë çunave ku e lamë në Ballsh, ta fillojmë sot me Rrogozhinën. Mendoj se kishim shumë mungesa, por duke pasur parasysh që organika tani ka filluar të plotësohet, djemtë janë heronj. Treguam karakter, durim, vuajtën dhe në fund morën atë që merituan.
Besoj se do na ndihmojë se kampionati ka hyrë në fazë të rëndësishme. Çdo pikë është flori, vinim pas disa ndeshjeve barazim dhe mendoj se kjo fitore do na vlejë duke menduar se na rikthehen 2-3 lojtarë në javën e ardhshme. Shpresoj të vazhdojmë të ecim me këto hapa deri në finish.
Shpresoj të na rikthehet Sadiki e Kadriu, Krasniqi ka nisur stërvitjen e ka bërë hapa të kënaqshëm. Tani duhet të ulim kokë, të festojmë sot por nesër mendojmë për javën e ardhshme se po të mos merrnim pikë do fillonte rreziku e mundohemi të mbajmë presionin sa më larg nga ekipi”.