Të fitosh një ndeshje në transfertë me Laçin me rezultat të tillë surprizues 3 me 5, dhe aq më tepër që Vllaznia ka 7 vite që nuk fiton në këtë fushë të vështirë, natyrisht që duhet të jesh shumë i kënaqur. Por, për trajnerin kuqeblu, Thomas Brdariç, jo gjithçka ka shkuar mirë në këtë ndeshje dhe këtu e ka fjalën tek reparti i mbrojtjes.
“E nisëm mirë ndeshjen, jam i kënaqur, por jo me gjithçka. Do të flas me lojtarët në stërvitjen e parë, që nga nesër do të fokusohemi për sfidën e të shtunës. Ne mbrojmë së bashku dhe sulmojmë së bashku, faza mbrojtëse ishte një përgjegjësi e të gjithëve, nuk mbrojtën mirë”, u shpreh Brdariç gjatë emisionit “Rubrika Sportive” në RTSH ku ishte i pranishëm në panel.
Sipas tij, ndeshja e Superkupës që u mundën nga Teuta 3 me 0 nuk ishte krejtësisht reale. “Mendoj se duhet të mësojmë nga ajo ndeshje, nuk ishte një rezultat realist. Ishte shumë e ndryshme se si e përjetuam ndeshjen në krahasim me rezultatin. Tani jemi në një drejtim të mirë, e kemi nisur mirë, me hapin e duhur, është më e lehtë të punosh kur fiton”, tha ai.
Ndër të tjera, Brdariç, komentoi edhe pozitën e presidentit Alban Xhaferi. “Albani është kreu i gjithçkaje, vendos si ndahen përgjegjësitë, duhet të kuptojë ndonjëherë se si funksionon puna e trajnerit”, thekson ai duke lëshuar një mesazh ndaj kreut të klubit kuqeblu.