Kombëtarja e Shqipërisë fiton minimalisht me rezultatin 1 me 0 ndeshjen ndaj Andorrës modeste dhe të karakterit amator. Ndeshja e luajtur mbrëmjen e së hënës në “Air Albania” në një stadium pa tifozë si rezultat i penalizimit nga UEFA, mendohej se do të prodhonte më shumë gola për kuqezinjtë tanë. Por gjithësesi, një gol i shënuar me penallti nga Çekiçi mjaftoi për t’i dhënë tre pikët e duhura Shqipërisë, e cila në mbyllje të kualifikuesve është në vendin e tretë të renditjes në Grupin I.
Referuar kronikës së lojës duhet pranuar që kuqezinjtë tanë patën një dominim absolut në fushën e lojës, por në bazë të statistikave, numri i rasteve për shënim ka qenë thuajse i barabartë, pasi miqtë nga Andorra kanë rrezikuar jo pak përmes kundrasulmit. I tillë ishtë një rast i tyre kur Strakosha detyrohet të bëjë një devijim spektakolar për të shpëtuar Shqipërinë nga goli i parë pas goditjes së Martinezit në minutën e 14-të. Ndërkohë, në kampin kuqezi, rasti i parë i rrezikshëm vjen në minutën e 13-të, kur Seferi gabon gjithçka nga një pozicion mjaft i volitshëm brenda zonës. Andorra rrezikon sërish pas një goditjeje dënimi pas një gjysmë ore lojë, ndërsa në minutën e 37-të, është fillimisht Laçi, me një goditje me kokë, e më pas Uzuni, me portierin e rrëzuar, që nuk arrijnë ta shtyjnë dot topin në rrjetë. Dy minuta para fundit, është Rosas që rrezikon për miqtë pas një kundërsulmi, por Strakosha është i vëmendshëm.
Pjesa e parë mbyllet me shtyllë të goditur nga Shqipëria me protagonist Odise Roshin, duke lënë në fuqi barazimin 0-0. Ndërkaq, 45 minutëshi i dytë ka parë vetëm Shqipërinë në fushën e blertë, me kuqezinjtë që mbizotërojnë përballë një Andorrë që mbyllet dhe mbrohet gjithnjë e më tepër dhe e bën më të vështirë depërtimin në zonën e saj. Bajrami shpërdoron një mundësi të artë në minutën e 60-të dhe më pas edhe Uzuni ka një rast, ndërkohë që është pikërisht ky i fundit që fiton 18 minuta para fundit të kohës së rregullt një 11-metërsh.
Reja ia beson Çekiçit gjuajtjen e penalltisë, realizimi i të cilit ështw perfekt. Gol, ky që i jep Shqipërisë tre pikët e rndësishme duke i mbyllur kualifikueset e Botërorit “Katar “2022” në kuotën e 18 pikëdhe, rekord ky për pjesëmarrjet e kombëtares tonë që arrin të marrë edhe një pozicion komod duke marrë vendin e tretë në renditje.