Prononcimi i kapiteni Berat Gjimshiti, pas ndeshjes, Shqipëri-Çeki, 3-0:
“Sigurisht që çdo fitore ka lezetin e vet dhe sigurisht një arritje personale. Por nuk kam shumë qejf të flas për veten, por një arritje për gjithë kombin, kudo që janë shqiptarët, një fitore madhështore, kanë festuar kudo. I falënderoj të gjithë që na kanë përkrahur kaq shumë e na kanë dhënë shtysë në këtë ndeshje e gjithmonë,.
Ndoshta duket nga jashtë që është e lehtë, por nuk është aspak. Kemi luajtur kundër kombëtareve si Çekia apo Polonia, që luajnë pothuajse çdo dy vite në finale të Europianit apo Botërorit dhe besoj se kjo është gjëja që të mos e bëjmë të lehtë, të mos ulim kundërshtarët por të rritim vlerën tonë. Ashtu mendohet se janë ato më dobët, por ndoshta duhet parë që kjo kombëtare ka patur rritje të madhe, duket kualiteti, vetëbesimi në fushë e që ky komb do të arrijë shumë lart.
E vështirë të gjej diçka në veçanti por ajo që ka ndryshuar me Silvinjon është se jemi një ekip, jemi të gjithë për njëri-tjetrin, vrapojmë për njëri-tjetrin dhe kjo është më e rëndësishme në futboll. Sigurisht ka kualitet individual, por më e rëndësishme është ekipi dhe kjo na bën të marrim këto fitore dhe të luajmë kaq mirë, ka ende për përmirësim dhe kjo është ende më e bukur, nuk ke arritur majën dhe të përmirësosh diçka.
Besimi te vetja? Të jep vetëbesim të dalësh në fushë, të përballosh kundërshtarët, t’i shohësh në sy dhe të thuash ‘sot do të mposht, do të dalësh i humbur e fitoj unë’. Është e rëndësishme, e kemi brenda për momentin, edhe fitoret radhazi apo mbrojtjet pa pësuar gol të jep vetëbesim.
Shpagim për mungesën ne Euro 2016? Mua askush nuk më ka borxh, nuk jam karakter që dorëzohem shpejt. Sigurisht kam qenë i mërzitur, por kam pasur momente të vështira, por nuk jam dorëzuar kurrë. Është gjë që e kam nga familja. Borxh i kam unë Shqipërisë dhe jo Shqipëria mua.
Kam 6 vite që luaj te Atalanta me 3, këtu është ndryshe me Silvinjon e duhet të përshtatesh. Janë kualitete që duhet të kesh se duhet të arrish nivele më të larta, duhet të dish skema të ndryshme dhe deri tani jemi përshtatur mirë. Ndonjëherë e kam në kokë të dal para e sulmoj më shpejt, por këtu nuk duhet ta bëj ndaj i them vetes ‘freno e shko mbrapa më mirë’”, tha për “SuperSport” Gjimshiti pas ndeshjes.