Dritan Mehmeti po bën më të mirën e mundshme në krye të Partizanit. Krahas ndeshjeve të tjera, fitorja në transfertë me Kukësin ia ka rritur së tepërmi vlerat si trajner. Pas fitores shumë të rëndësishme pasditen e sotme në Kukës, në lidhje direkte me Supersport, Mehmeti, përgëzon futbollistët e tij, por ndërkohë i kërkon të qëndrojnë me këmbë në tokë, sepse sipas tij, akoma nuk është arritur asgjë në objektivin Europë.
“Po ta marrim nga fillimi i ndeshjes, pritej që të kishte tension, të dyja skuadrat kanë të njëjtin objektiv. Lojtarët dhe arbitri ishin nën tension. Nuk jam dakord për pjesën që ishte me 2 tabllo. Partizani duhet të kishte shënuar 3-4 gola në pjesën e parë. Në pjesën e dytë normal që do të zbrisnim pak poshtë dhe të kundërsulmonim. Duhet ta mbyllnin ndeshjen me Zhuniorin dhe Rrapajn që duhet të kishte shërbyer për Carën. I komplimentoj çunat për mënyrën si e interpretuan ndeshjen. Kam vetëm fjalë të mira për ta, por duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, sepse asgjë s’kemi arritur. Është një nga ndeshjet më të mira tona, duke pasur parasysh vetë rëndësinë e ndeshjes. Lojtarët e ndjenë shumë dhe e kanë interpretuar siç e kishim përgatitur. Kam vetëm fjalë të mira. Lojtarët janë aktorët që meritojnë më tepër se gjithçka. Futbolli është lojë gabimesh, duhet parë dhe aspekti psikologjik. Nuk mundet të dalësh aq shpesh para portës dhe t’i gjesh gabime kësaj skuadre. Është e vërtetë që ne i futëm në lojë me një gabim, por futbolli prandaj është i bukur, sepse mund të humbësh dhe ashtu rastesh. Shpresoj t’i rregullojmë gjërat në vazhdim, kam vetëm falënderime.”, tha për Supersport, tekniku i të kuqvve, Dritan Mehmeti.