Një fitore me shumë peshë ajo me Ishujt Faroe, që duke përfituar nga disfata e Polonisë(2-3 me Moldavinë) i ka dhënë mundësinë skuadrës kuqezi që të ngjitet në vendin e dytë të klasifikimit në grupin E. Një ndeshje me shumë mundësi ajo ndaj Ishujve Faroe, shumë raste të humbura, shumë volum loje e në fund tri pikë.
Në skenën e golashënuesve në këtë sfidë është ngjitur edhe Ernest Muçi, I aktivizuar në minutën e 75-të në vend të Nedim Bajramit, duke shënuar golin e tretë që hipotekoi fitoren.
“Jam shumë i lumtur që shënova, – ka theksuar pas ndeshjes Muçi, – Ishin tri pikë të rëndësishme për ne. Ndihem shumë mirë në skuadër, është një grup shumë i mirë. Sa herë që do aktivizohem, do mundohem të jap më të mirën për Shqipërinë, të fitojmë çdo ndeshje. Pas katër ditësh do të kthehem në klubin tim, ata që e dinë që lufta është mes nesh dhe Polonisë, shpresoj që ti mundim”.
Shumë volum loje për Taulant Seferin, por dhe raste të humbura para portës kundërshtare. Komenti I tij për suksesin e arritur: “ Kishim si objektiv të fitonim këto dy ndeshje dhe ia arritëm qëllimit. Nga ana personale mendoj se ishte një paraqitje e mirë, por mund të bëj edhe më mirë në të ardhmen. E rëndësishme është fitorja. Nuk është mirë që të humbasim kaq raste, kishim mundësi të ishim 3-0, por shkuam 1-1. Duhet të tregohemi më të saktë. Humbja e Polonisë? Është një lajm i mirë për ne, shpresoj që në shtator të kthehemi edhe më të fortë”.
Nedim Bajrami edhe njëherë ka arritur të gjejë rrugën e rrjetës duke zhbllokuar sfidën me Ishujt Faroe: “Jam i lumtur që edhe sot shënova, por e rëndësishme është që fituam. Nuk është e lehtë të luash këtu, është një skuadër shumë fizike, por jemi të lumtur që fituam. Nuk ka asnjë ndeshje të lehtë, tani të pushojmë dhe kur të kthehemi të shpresojmë të marrim një pikë apo një fitore ndaj Çekisë”.
Kristjan Asllani ka marrë një vend titullari dhe nuk ka zhgënjyer, me një goditje nga distance ka arritur të shënojë një gol mjaft të bukur, që ishte I dyti për kuqezinjtë në këtë ndeshje: “Shpresoja të vinte ai top, sepse e pashë linjën e kundërshtarit shumë të tërhequr. Falenderoj trajnerin që më dha mundësinë që nga minuta e parë. Besoj se e kam shfrytëzuar mundësinë, jo vetëm me golin e shënuar. Të gjithë e dinë që unë provoj nga distanca, sapo më jepet mundësia. Shkoi tri herë keq, pastaj erdhi goli”.