Radio Televizioni Publik Shqiptar dhe Federata Shqiptare e Futbollit organizuan mbrëmjen gala për ndarjen e çmimeve të më të mirëve në futbollin shqiptar për sezonin 2020-2021. Një event special ku nuk mungonin surprizat dhe emrat e mëdhenj të futbollit tonë, të cilët dorëzuan çmimet për formacionin e vitit dhe kurorëzuan Topin e Artë për meshkuj e për femra.
Topi Artë për meshkuj shkoi për Dejvi Bregun, trofe që u dorëzua nga Sekretari Përgjithshëm i FSHF, Ilir Shulku.
Shulku vlerësoi performancën e treguar nga Dejvi Bregu sezonin e shkuar ku arriti të fitojë titullin kampion me Teutën duke qenë një ndër lojtarët më vendimtar në suksesin e durrsakëve. Performancë që i siguroi Bregut një transferim në Turqi ke Boluspor.
Topi Artë për femra u fitua nga Megi Doçi, kapitenia e Kombëtares shqiptare dhe Vllaznisë. Trofeu për golashënuesen kuqezi u dorëzua nga drejtuesi i Departamentit të Sportit në RTSH, Pano Xhixho.
Formacioni i vitit u përzgjodh nga një juri e analistëve teknik të emisioneve sportive në vend, të cilët kishin marrë përsipër përgjegjësinë për votimin e 11-shit titullar, trajnerin e vitit dhe talentin e sezonit. Porta ju besua portierit të Tiranës dhe përfaqësueses së Kosovës, Visar Bekaj. Legjenda e Partizanit dhe Kombëtares kuqezi Perlat Musta u ngiit në skenë për t’i dhënë çmimin gardianit bardhelu, që nuk i fshehu emocionet për këtë nderim. Çmimi talenti i sezonit i shkoi Marsel Ismajlgecit me trofeun simbolik që u dorëzua nga ish-trajneri i njohur, Sulejman Mema.
Afrim Tole, një emër i madh i futbollit shqiptar në vitet 90′, ndau çmimet e mbrojtësit të majtë dhe të djathtë që shkuan për Marsel Ismajlgecin dhe Erdenis Gurishtën, të cilët me Tiranën dhe Vllazninë dhuruan paraqitje mbresëlënëse.
Çmimet për mesfushorët më të mirë u ndanë nga zv.trajneri i Kombëtares, Ervin Bulku, teksa për sulmuesit më të mirë u dorëzuan nga një tjetër emër i madh i futbollit shqiptar siç është Ylli Shehu.
Në formacionin e vitit janë përzgjedhur: Bekaj, Gurishta, Adili, Belica, Hoxhallari, Lushkja, Aleksi, Asani, Bregu dhe Ibraimi. Çmimet për mbrojtësit e qendrës u dhanë nga ish-futbollisti i mirënjohur, Nevil Dede.
Ndërsa trajner i vitit është shpallur tekniku i Vllaznisë, Thomas Brdariç me çmimin që ia dorëzoi legjenda e futbollit shqiptar, Sulejman Demollari . Gjithashtu, një çmim shkoi edhe për gjyqtarin e vitit që u shpall Eldorjan Hamiti. Në këtë mbrëmje gala, përveç përfaqësuesve të FSHF-së dhe trajnerë të ekipeve kombëtare të moshave, merrnin pjesë përfaqësues edhe personalitete dhe legjenda të futbollit shqiptar.
Çmimet e vitit 2021:
Top i Artë (Meshkuj): Dejvi Bregu
Top i Artë (Femra) : Megi Doçi
Talent i vitit: Marsel Ismajlgeci
Formacioni i vitit: Bekaj, Gurishta, Adili, Belica, Hoxhallari, Shehu, Lushkja, Aleksi, Asani, Bregu, Ibraimi.
Trajneri i vitit: Thomas Brdariç
Gjyqtari i vitit: Eldorjan Hamiti