Saturday, September 21, 2024

Formula 1- Ndryshime te Ferrari, kërkon rikthimin tek fitorja

Lexo

Kupa e Botës 2022 në F1 për skuadrën e kuqe luhet mes të tashmes dhe të ardhmes së afërt. Është gara e së dielës në Azerbajxhan, ku skuadra e Maranelos kërkon të harrojë rrëmujën e Monte Carlos, për të rikthyer besimin te Charles Leclerc. Dhe pastaj janë projektet që shohin për më tej. Më interesantja ka të bëjë me zhvillimet që po përgatiten në Maranello për të rritur fuqinë e pjesës elektrike të njësisë së fuqisë, duke ndërhyrë në sistemin hibrid. Është e vetmja fushë në të cilën rregullorja e FIA-s lejon ndryshime, duke qenë se pjesa tjetër (motori me ngrohje dhe komponentët e tjerë) janë “ngrirë” në fund të shkurtit dhe do të mbeten të pandryshuara deri në vitin 2025, me synimin për të kursyer.

E nga ky ndryshim, Ferrari mund të sjellë tronditjen e kampionatit për garat në vijim. Progresi i vazhdueshëm nuk ka të bëjë vetëm me kuajfuqinë, ka të bëjë edhe me besueshmërinë. Dështimi i Leclerc në GP të Spanjës, kur kryesonte garën, ishte një këmbanë alarmi që nuk duhet anashkaluar. Ferrari bëri një hap të madh përpara në vitin 2021, duke kaluar në teknologjinë më të avancuar elektrike, me përdorimin e një sistemi që punon në 800 volt krahasuar me 400 në atë të mëparshmin.

Ishte një pikë kthese themelore, në të cilën kreu i ekipit Mattia Binotto kërkonte të rihynte në konkurrencë me Mercedesin dhe Hondën. Risia u prezantua nga gara në Turqi, duke përdorur SF21 si një lloj makine eksperimentale laboratorike, për të përfituar nga ajo këtë sezon. Një ide që doli e drejtë. Hibridi i ri, i kombinuar me motorin termik V6 tërësisht të ridizajnuar, i ka lejuar Ferrarit të kthehet në krye të F1. Por departamenti i njësisë së energjisë, i drejtuar nga Enrico Gualtieri, nuk u ndal ndërkohë, duke planifikuar hapat e ardhshëm, ku çdo detaj mund të bëjë diferencën në një sezon të vështirë si ai të cilit Leclerc dhe rivali i madh Max Verstappen po i japin jetë.

Por hibridi i avancuar në F1-75 mund të mbërrijë vetëm në Silverstone, më 3 korrik, në një nga pistat më të shpejta në kalendar. Por deri atje janë dy gara për të konkurruar: Azerbajxhani dhe Kanadaja. Sipas logjikës, Ferrari do të debutojë me sistemin e ri në të njëjtën kohë me prezantimin e njësisë së tretë të energjisë, pasi Leclerc dhe Sainz kanë përdorur tashmë dy njësi.

Por për Charles ka një problem që lidhet me faktin se për momentin ai mund të ketë vetëm një motor, pasi ai i dëmtuar në Montmelò është i pariparueshëm. E nëse Ferrari zëvendëson motorin në Baku, do të jetë e pashmangshme që Lëclerc të marrë një dënim prej 5 pozicionesh në nisje të garës, kur versioni i avancuar i hibridit të prezantohet më vonë. E ndërkohë duhet të mos harrojmë që Ferrari duhet medoemos të përpiqet të ndalë Red Bullin dhe Verstappen.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img