Karim Benzema është shpallur të hënën në mbrëmje fitues i “Topit të Artë” për vitin 2022, duke u bërë i pari futbollist nga Franca që e fiton këtë çmim prestigjioz që nga viti 1998, atëherë kur pati fituar legjendari Zinedin Zidan. Dhe ka qenë ky i fundit që ia ka dorëzuar Çmimin bashkatdhetarit të tij, që ishte padyshim vendimtar me paraqitjen e tij, duke e udhëhequr Realin e Madridit drejt titullit “kampion” në Spanjë, por edhe drejt triumfit të 14-të në në veprimtarinë më prestigjioze të klubeve të të Evropës, Ligën e Kampioneve
Çmimi i parë i mbrëmjes ishte ai i të riut më të mirë, i njohur ndryshe si “Çmimi Kopa” dhe ky çmim ka shkuar, sikundër ndodhi vitin e shkuar, kur e fitoi Pedri, për një tjetër lojtar të Barcelonës dhe të përfaqësueses së Spanjës, Gavin, i cili e ka marrë trofeun nga shoku i tij i skuadrës.
Më pas, ka qenë radha e Sadio Manesë që të marrë çmimin “Sokrates”, një çmim që jepet për herë dhe që vlerëson nismat më të mira shoqërore. E natyrshëm që ky çmim ka shkuar për ish-futbollistin e Liverpulit, tanimë të Bajernit të Mynut, që jep mjaft për shoqërinë, veçanërisht në vendin e tij të lindjes, Senegal.
Çmimi i sulmuesit më të mirë të vitit, që këtë edicion është emërtuar si Çmimi “Gerd Myler” është fituar për të dytin vit radhazi nga Robert Levandovski, i cili theu pikërisht rekordin golave të shënuar në Bundesligën gjermane, që mbahej pikërisht nga legjendari gjerman.
Kurse Çmimin “Lev Jashin” që shkon për portierin më të mirë të vitit, e ka fituar gardiani belg i portës së Realit të Madridit, Tibo’ Kurtua, i cili ishte vendimtar në triumfin e 14-të të gjigantes spanjolle në veprimtarinë më prestigjioze të klubeve të të Evropës, Ligën e Kampioneve.
Mançester Siti është përzgjedhur si klubi i vitit 2022, teksa klubi anglez realizoi 99 gola, siguroi titullin e 4-t në 5 sezone të Premier Ligës dhe mposhti në votim rivalen angleze, Liverpulin, por edhe fituesen e Ligës së Kampioneve dhe kampionatit spanjoll, Realin e Madridit, që plotësoi podiumin.
Ndërkaq, “Topin e Artë” në futbollin e femrave e ka fituar, për të dytin sezonin radhazi, futbollistja e Barcelonës dhe e përfaqësueses së Spanjës, Aleksia Putejas. Duhet kujtuar këtu se, tek femrat, çmimi nuk jepet për vitin kalendarik 2022, por për sezonin 2021-2022 dhe Putejas pati një sezon të shkëlqyer në planin personal.